Koronavirusi që alarmoi Kosovën s’ka prekur asnjë kosovar

Prishtinë | 10 Shk 2020 | 08:15 | Nga Ekonomia Online

Mbi 800 persona kanë vdekur nga virusi vdekjeprurës “korona” kryesisht në Kinë, derisa mbi 35 mijë persona janë të prekur me të.

Kosova nuk ka shënuar asnjë rast të prekur me koronavirus, ndonëse u raportua se një paciente mund të jetë e prekur me të. Deri tani mbi 800 persona raportohet të kenë vdekur nga ky virus, kryesisht në Kinë, derisa rreth 35 mijë persona janë të prekur me këtë virus, shkruan Zëri.

Mbi 800 persona kanë vdekur nga virusi vdekjeprurës “korona” kryesisht në Kinë, derisa mbi 35 mijë persona janë të prekur me të. Ky virus për disa orë alarmoi edhe qytetarët e Kosovës, pasi një paciente u dyshua të jetë e prekur me të. Gjatë ditës së shtunë, pas testeve të kryera në laboratorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, u bë e ditur se pacientja nuk është e infektuar me koronavirus e as me influencën A e B.

Pacientja është shtetase e Britanisë së Madhe, e cila punon në Kosovë, por që kishte qenë para disa ditësh në një qendër të skijimit në Francë, ku edhe ishte raportuar për disa britanikë të prekur me këtë virus. Ajo ishte lajmëruar për kontroll në Qendrën Emergjente të Gjilanit, ku më pastaj ishte referuar për në Klinikën Infektive në QKUK, ku edhe ishte mbajtur në izolim nën dyshimet për koronavirus.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka bërë të ditur se rezultatet e analizave të pacientes kanë rezultuar negativ për koronavirus. Përndryshe, ai ka theksuar se janë të furnizuar me materialin e nevojshëm me anë të të cilit do të diagnostikohen rastet e dyshimta me koronavirus. Nga IKSHPK-ja është thënë vazhdimisht se janë duke e përcjellë në mënyrë aktive situatën epidemiologjike me sëmundje ngjitëse në tërë territorin e Kosovës, derisa edhe kanë përforcuar masat për monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së koronavirusit të ri.

Gërxhaliu: Maskat e mjekëve të QKUK-së s’e ndalin koronavirusin

Nga Klinika Infektive ditë më parë ishte thënë për gazetën se janë të përgatitur në rast të raportimit të ndonjë rasti të prekur me koronavirus në Kosovë e po ashtu janë të furnizuar me të gjitha materialet e masat e nevojshme për t’u mbrojtur nga ky virus. Mirëpo drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka vlerësuar se mjekët kosovarë nuk janë të përgatitur për ta menaxhuar gjendjen në rast të përhapjes së koronavirusit.

Ai ka thënë se e maskat e paraqitura në një fotografi, ku shihet stafi i QKUK-së, nuk e ndalin koronavirusin. “Mobilizim vetëm për ajrin e ndotur të Prishtinës ndoshta. Këto maska nuk e ndalin koronavirusin, sepse është i madhësisë 0.1 deri 0.2 mikron. Shpresoj të mos kenë ndonjë të infektuar me këto pajisje kolegët e respektuar. Shpresoj që këtë postim do ta marrin seriozisht dhe të mos kursejnë për pajisje mbrojtëse të stafit shëndetësor dhe të popullatës”, ka shkruar ai.

Koronavirusi, më vdekjeprurës se virusi SARS

Gjatë ditës së djeshme është raportuar se ka shkuar në 813 numri i përgjithshëm i personave të vdekur nga koronavirusi, kështu edhe është kaluar shifra e vdekjeve të shkaktuara nga virusi SARS në vitin 2003. Vetëm gjatë ditës së shtunë zyrtarët shëndetësor në Hubei raportuan për 89 persona të vdekur. Zyrtarët shëndetësorë në epiqendrën e virusit, në provincën Hubei të Kinës, kanë njoftuar se vetëm në këtë rajon kanë vdekur 780 persona.

Më shumë se 34 mijë e 800 persona janë infektuar nga koronavirusi, i cili ka arritur edhe në Evropë, në Australi dhe në Amerikën Veriore. Të shtunën në Francë u konfirmuan pesë raste të reja të infektimit në rajonin Haute-Savoie.

Në dy dekadat e fundit në botë u shfaqen dy tipa të reja të koronaviruseve. Një nga ta ishte virusi SARS (Sindroma Akute Respiratore e Rëndë), i cili filloi në Kinë dhe virusi tjetër filloi në Arabinë Saudite. Virusi, i cili tashmë është i përhapur në shumë shtete, vlerësohet të jetë një virus i ri i familjes së koronavirusëve, i cili nuk njihet mirë. Për t’u mbrojtur nga koronavirusi i ri ende nuk është zbuluar asnjë vaksinë, por që thuhet se ky virus prek më shumë personat me probleme tjera shëndetësore, si probleme me zemër, me mushkëri e me diabet.

Rritet numri i të prekurve me koronavirus në Evropë

Gjermania, Italia, Britania, Finlanda, Suedia e Franca kanë regjistruar raste të prekura me koronavirus. Numri i personave të infektuar me koronavirus vetëm në Francë ka shkuar në 11. Kështu ka konfirmuar për medie ministrja franceze e Shëndetësisë, Agnes Buzyn, e cila ka bërë të ditur se njëri nga të infektuarit është fëmijë. “Njëri nga pacientët e infektuar është fëmijë dhe në mesin e tyre është një shtetas i Britanisë, që erdhi në Francë nga Singapori”, ka thënë ajo. Koronavirusi është përhapur në më shumë se 24 shtete të botës, duke përfshirë këtu SHBA-në, Britaninë e Madhe, Singaporin, Francën, Rusinë, Spanjën dhe Indinë.

Organizata Botërore e Shëndetit e ka shpallur koronavirusin një emergjencë globale, derisa shtete të shumta, duke përfshirë këtu edhe Kosovën e Shqipërinë, kanë marrë masat për t’u mbrojtur nga ai. Për t’u mbrojtur nga koronavirusi është kërkuar të shmangen kontaktet e ngushta me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes, të ruhet higjiena e duarve e të evitohen vendet e mbyllura me shumë njerëz. Simptomat e personave që preken me koronavirusin janë: ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje.


Të ngjashme