Korrigjimi i kufijve nuk është zgjidhje afatgjate e as e qëndrueshme, u tha në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) me temën “Humbësja e madhe e dialogut: Diskutim mbi parimet dhe strategjitë që parandalojnë institucionet e Kosovës të zhbëjnë karakteristikat unike të Kosovës”.
Enver Hasanaj, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, tha se lëvizja dhe ndryshimi i territoreve është jashtëkushtetuese dhe e paligjshme, raporton Ekonomia Online.
“Diskursi rreth dialogut flitet sikur të mos kishte asnjë ditë përvojë si shtet sovran. Çështja e pozitës së shefit të shtetit nën një shtet si është Kosova shefi shtetit nuk është shef i ekzekutivit. GND ka thënë që ne e njohim Kosovën me atë territor që ka qenë në ditën e shpalljes së pavarësisë”.
“Çdo nënshkrim i çdo marrëveshje që bëhet jashtë organeve kushtetuese nuk është e ligjshme. Kosova nuk është shkëputur nga ish-Jugosllavia, por nga Serbia dhe ne trashëgojmë të gjitha të drejtat dhe detyrat. Nëse futem jashtë lojës së politikës së GND-së, ne pranojmë standardet e krijuara nga Serbia për shkëputje të territorit”, tha ai.
Lulzim Peci, drejtor ekzekutiv i KIPRED-it, tha se logjika e korrigjimit të territoreve është mashtrimi më i madh që po u bëhet qytetarëve të këtij vendi, raporton EO.
“Bashkimi Evropian ka filluar me logjikën e asaj për bashkëpunim dhe jo shkëmbim të territoreve. Unë jam sinqerisht optimist që edhe vetë Mogherini e pranoi që ky proces i negociatave nuk do të përfundojë edhe vitin e ardhshëm, dhe kjo është disfatë për kabinetin e saj”.
“Ajo çka i duhet Kosovës në këtë moment është një durim strategjik. Unë mendoj që ata aktorë që e kanë sjellë Kosovën deri në këtë pikë nuk duhet të jenë në krye të bisedimeve. Logjikën e konferencës së Mynihut është duke e shtyrë Putini”, tha ai.
Belul Beqaj, ekspert i procesit të Dialogut Kosovë-Serbi, tha se është kundër zgjidhjeve nga politikat e dështuara të cilat mundohen që të zgjidhen problemet me shkëmbim e korrigjim të territoreve, raporton EO.
“Unë mendoj që përmes çështjes së ndërrimit të flamurit dhe mbetjes së serbëve në Kosovë në rast se bëhet shkëmbim i territoreve duhet të jepet përgjigje pse është vrarë Enver Zymberi. Strategjia e marrëveshjes obligative si e mendon Hashim Thaçi që ka për synim korrigjimin e kufijve ia mundëson riciklimin e pushteteve sa herë që ka nevojë. Pasiguria e qytetarëve shqiptar në Serbi dhe qytetarëve serb në Kosovë nuk kanë të bëjnë me territore por me qeverisjen që po bëhet. Qytetarët në Luginë nuk janë të pakënaqur me territorin ku jetojnë, por me politikën që po bëhet. Nëse shkohet me strategjinë e korrigjimit kjo do të shkaktonte disa pasoja brenda dhe jashtë. Në vend se të dënoheshin do të amnistoheshin politikanët që kanë shkaktuar pakënaqësi edhe në Kosovë edhe në Serbi. Korrigjimi nuk është zgjidhje afatgjate e as e qëndrueshme” tha ai.
Ndryshe nga parafolësit, Fisnik Halimi, ekspert i procesit të dialogut Kosovë-Serbi, tha se është pro shkëmbimit të territoreve.
“Ne duhet kuptuar që ideja e shkëmbimit të territoreve nuk është ide e re dhe nuk është e Hashim Thaçit. Ne jemi në një proces më negociator politik mes Serbisë dhe Kosovës. Ne kemi një dokumenti politik që është plani i Ahtisarit. Pako e Ahtisarit ia mundëson në çështje të caktuara të drejtën e vetos minoriteteve serb në Kosovë. Ne do të kemi mundësinë zero që nesër të kalojmë një ligj që do t’ia mundësojë Kosovës aderimin në NATO për shkak të votës së minoritetit serb”.