Korrupsion i pastër elektoral: 100 EURO vota

Prishtinë | 22 Dhj 2024 | 12:42 | Nga Shenoll Muharremi

Të vjen keq që ka ardhur dita të shohësh dikë si Albin Kurti dhe LVV duke shpërndarë paranë e popullit për dy-tre vota më shumë në zgjedhje. Sot kam parë shifrat e tregtisë së Kosovës për muajin e fundit. Plot 473,000,000 euro ishte deficiti apo humbja në mallra për një muaj. Për një orë, humbja gjatë nëntorit arrin 15 milionë euro.

Gjatë mandatit të Kurtit, deficiti në mallra ka arritur gati 20 miliardë euro. Normalisht njeriu pret që kjo të adresohet nga qeveria… E në kthim, ti kupton që Qeveria në konferencë për media të dielen po e thellon këtë krizë me veprimet e saja!

Korrupsioni nuk është vetëm vjedhja e parasë publike përmes tenderëve. Edhe korruptimi shpirtëror, që lind nga lakmia për disa vota më shumë dhe abuzimi me paranë publike, është korrupsion. Është korrupsion shpirtëror i lakmisë për pushtet. Për 70% të 500,000 apo çfarëdo që ishte, kjo është ‘lakmia’.

Albin Kurti u dorëzua. Ai e ka kuptuar që nuk mund të mbajë përkrahjen e madhe, dhe tashmë po e tradhton veten dhe idealet e tij të forta për pushtet. Nuk do të ishim befasuar nëse dikush nga establishmenti i vjetër do të vepronte kështu, por për Albinin kemi standarde të tjera. Ai vetë ka premtuar dhe është votuar masivisht për një qeverisje për të mirën publike.

Shpërndarja e parasë publike pa asnjë llogaridhënie, veçanërisht në kohë zgjedhjesh, nuk është asgjë tjetër përveç një abuzim dhe keqpërdorim i pushtetit për interesa të ngushta. Kjo mund të jetë arsyeja kryesore pse LVV dhe Kurti do të tkurren… Ndoshta do të tkurren ndjeshëm dhe as gjysmën e 70% të mos e arrijnë.

Në një kohë kur duhet të kërkohet mënyra për të ndalur rrjedhën e parasë prej 15 milionë euro në ditë, afër 500 milionë euro në muaj dhe mbi 5 miliardë euro në vit, ne po stimulojmë importin dhe deficitin.

Kurti po shpërndan paratë publike për votat e tij dhe të LVV-së, nga 100 EURO për votë! Kjo metodë e qeverisjes po e shkatërron ekonominë dhe bizneset. Pse? Sepse këto fonde do të rrisin importin dhe deficitin, ndërsa bizneset tona, që i kanë paguar këto mjete, po shkatërrohen me paratë e tyre. Kjo mënyrë e papërgjegjshme e qeverisjes padyshim do të ndëshkohet më 9 shkurt.

Të ngjashme