Në dhjetor të këtij viti do të kuptohet nëse fondi federal amerikan MCC do të vazhdojë planifikimin e investimeve për Kosovë në pesë vitet e ardhshme. Sondazhet e ndryshme që flasin për nivelin e lartë të korrupsionit në Kosovë, mund të vonojnë procesin e ndarjes së dhjetëra milionë dollarë për sektorë kyç të ekonomisë.
Kosova në fund të 2015 është kualifikuar për investime masive nga fondi federal Millennium Challenge Corporation.
Dhjetëra miliona euro priten të investohen në fusha si energjia, ambienti dhe sundimi i ligjit.
Vetë zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden gjatë vizitës së tij kohë më parë në Prishtinë pati deklaruar se “MCC është dëshmi e miqësisë së Amerikës ndaj Kosovës dhe se këto janë dollarë që do të hyjnë direkt në ekonomi kosovare”.
Mirëpo, Telegrafi merr vesh se sivjet në dhjetor, Kosova mund të përjetojë një vendim për shtyrje të këtyre investimeve, bazuar në raportet e nivelit të korrupsionit në vend.
Petrit Selimi, koordinator nacional i MCC në Kosovë, konfirmon se MCC do ta shqyrtojë rastin e Kosovës në mbledhjen e Bordit në Uashington në dhjetor.
Sipas Selimit, “çdo vjet Kosova duhet të merr notë kaluese për kontrollin e korrupsionit. Vjet më 2015, bazuar në të dhënat dhe sondazhet e 2014, në kemi marrë note kaluese në indikatorin e kontrollit të korrupsionit. Sivjet, bazuar në të dhënat e 2015, kemi pasur përkeqësim të vogël. Ky përkeqësim do të analizohet në Bord”.
Selimi vlerëson se ky përkeqësim është vërejtur sidomos në matjet e Gallupit, që konsiderohen nga MCC si një nga standardet matëse dhe tani janë dorëzuar raporte shtesë për të dëshmuar hapat që janë ndërmarrë më 2016 që të adresohet çështja e kontrollit të korrupsionit.
“Raportet dhe sondazhet e organizatave si Transparency International dhe UNDP po ashtu do të merren parasysh”.
Përndryshe dje edhe organizata ndërkombëtare Transparency International ka dalë me raportin e vet vjetor për gjendjen e korrupsionit në botë, ku është potencuar se Kosova qëndron e treta, menjëherë pas Spanjës dhe Moldavisë, sa i përket mendimit të qytetarëve për korrupsionin si sfidë.
Derisa sipas këtij sondazhi, “ryshfeti në Kosovë është më pak përhapur se në rajon, duke prekur 10% të popullatës, shumica e kosovarëve konsiderojnë se qeveria dhe politika është duke humbur betejën kundër korrupsionit”.
Sipas Transparency international, qytetarët e konsiderojnë policinë e Kosovës më pak të korruptuar por parlamentarët marrin notë të dobët të mosbesimit.
Selimi pohon se vendimi i Bordit nuk duhet paragjykuar por se “Kosova është duke garuar me kohë sepse shumë shpejtë do të tejkalojmë nivelin e BPN-së për kokë banori, që mund të na diskualifikojë në të ardhmen nga MCC sepse bëhemi më të pasur se sa lejon niveli i MCC.