Korrupsioni si fenomen i mbijetesës politike

Prishtinë | 21 Sht 2023 | 19:47 | Nga Afrim Kasolli

Sot shumica parlamentare përdori lloj- lloj justifikime për ta penguar më çdo kusht kërkesën e opozitës për themelimin e një komisioni parlamentar, për të hetuar abuzimin e qeverisë mbi skandalin e rezervave shtetërore. Motivi është i qartë; që të heshtet sa më shumë që të jetë e mundur diskutimi publik për këtë temë. Të mos flitet për këtë keqpërdorim.

Ky rast, dhe shumë të tjera sikur ky, kanë ngritur dilemën se si ndodhi që edhe partia që aktualisht e drejton vendin, e cila erdhi në pushtet më premtimin për të çrrënjosur këtë plagomë shoqërore, ekonomike dhe politike në fund të përçudnohet duke justifikuar shumën e përqindjeve të tij. Jo nuk ishin kaq tonë që mungojnë, por kaq, përqindja e dëmtuar e buxhetit nuk ishte katër, por tre përqind etj etj. Pra çdo gjë u shndërrua në kalkulim llogaritar për ta legjitimuar korrupsionin.

Ekzistojnë interpretime të ndryshme se pse partitë politike korruptohen pasi ta marrin pushtetin. Në këtë kontekst, vlen të veçohen tezat e studiuesit të njohur të shkencave politike Francis Fukuyama në librin e tij voluminoz “Rendi politik dhe shthurja politike-nga Revolucioni Francez deri të globalizimi i demokracisë”. Sipas këtij mendimtari, shumë nga format e degjeneruara të demokracisë, sikur se patronazhi, klientelizimi, familjarizimi dhe korrupsioni në disa raste ka ndodhur si pasoje e instalimit të demokracisë para zhvillimit të ekonomik, konsolidimit të administratës profesionale shtetërore dhe sundimit të ligjit. Demokracia kërkon mobilizim politik. Dhe duke qenë se partitë në ambiente të tilla, nuk mund të prodhojnë atë nëpërmjet ideve për shkak të kushteve specifike, ato i përdorin këto metoda për mbijetesë politike dhe mbajtje të pushtetit. Në këtë libër, ky teoricien i merr si shembull paradigmatik rastet e Greqisë, Italisë dhe shumë vende të tjera që i karakterizon mungesa e besimit shoqëror dhe shtetëror. Në këto shtete partitë, sipa tij, në mungesë të resurseve tjera e kanë përdorur shtetin për qëllime partiake me synim mbajtjen e pushtetit.

Mirëpo, krahas këtyre kushteve socio-politike, sa i përket partisë në pushtet në Kosovë mund të veçohet edhe një karakteristikë tjetër specifike që mund të jetë si burim i pashmangëshm për korrupsionin e saj, sikurse se rasti i abuzimit me rezervat shtetërore. Mënyrën se si kishte manipuluar me disa ide.

Kjo parti derisa ishte në opozitë kishte ndjekur dy taktika për strategjinë e saj drejt ngritjes së Olimpit politik. E para me anë të artilerisë së saj politike ishte angazhuar t’i degradonte të gjithë oponentët e saj, moralisht, kombëtarisht dhe politikisht. Kurse në anën tjetër, kishte operuar me ide sublime dhe premtime sikur se bashkimi kombëtar, sovraniteti shtetëror, konsolidimi ndërkombëtar i shtetit etj etj.

Mirëpo, me të ardhur në pushtet u pa se asnjërën prej tyre nuk ka kapacitet për të realizuar. Sepse ato ishin vetëm për konsum publik. Në këtë rast, legjitimeti më nuk mund të kërkohet me këto ide. Kështu, për ta mbajtur tash e tutje atë nevojitet krijimi i klientelës elektorale. E kjo e fundit më nuk mund të sigurohet nëpërmjet ideve te bashkimit kombëtar etj etj. Por favorizimit të lidhjeve shoqërore duke i përdorur institucionet shtetërore.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë që edhe partitë opozitare nuk vuajnë nga kjo dobësi. Kjo edhe është arsyeja që edhe ato u ngjasojnë strukturave klienteliste dhe familjare. Sepse vetëm në këtë mënyrë grupet drejtuese të tyre mund ta mbrojnë pushtetin e tyre. E jo nëpërmjet hapjes, debatit dhe luftës së ideve. Kjo qasje ndikon që korrupsioni të shndërrohet në “parim”të pranueshëm politik. Por beteja mund të zhvillohet për masën dhe përqindjen e tij.

Të ngjashme