Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, thotë se SHBA-ja është e përkushtuar që ta ndihmojë Qeverinë e ardhshme të Kosovës që të ketë sukses dhe të sigurojë vendin si partnere e barabartë në Evropë dhe komunitet ndërkombëtar.
Kosnett i ka thënë këto sot pas takimit me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Partia e Kurtit do ta formojë Qeverinë e re të Kosovës, pasi i ka fituar bindshëm zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Kam takuar Albin Kurtin dhe ekipin e tij, si pjesë e një serie të diskutimeve mbi përparësitë e përbashkëta SHBA – Kosovë. Ne mbetemi të përkushtuar për ta ndihmuar Qeverinë e ardhshme që të ketë sukses dhe të sigurojë vendin e saj si një partnere e barabartë në Evropë dhe brenda bashkësisë ndërkombëtare”, ka shkruar Kosnett në Twitter.
Ai ka shtuar se diskutimet sot kanë qenë të fokusuar në investimet në energji.
“Diskutimet sot ishin të fokusuara në investimet në energji dhe diversifikim, duke përfshirë opsione të qëndrueshme dhe rinovueshme që do ta shtyejnë rritjen e ardhshme ekonomike të Kosovës”, ka shkruar Kosnett.
(1/2) Earlier today, met with @albinkurti and his team, part of a series of discussions on shared U.S.-Kosovo priorities. We remain committed to helping the next government succeed and secure its place as an equal partner in Europe and within the international community.
— Ambassador Philip S. Kosnett (@USAmbKosovo) March 18, 2021