Pavarësisht se ka marrë mbi 50 % të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizjes Vetëvendosje i duhet edhe përkrahja e ndonjërës prej partive opozitare, për ta zgjedhur presidentin dhe për të shmangur zgjedhjet e parakohshme.
Për këtë Albin Kurti dhe dhe Vjosa Osmani kanë zhvilluar takime të ndara me të gjitha partitë opozitare, megjithatë shpresat e vetme janë ende tek LDK-ja e Lumir Abdixhikut, pasi që Enver Hoxhaj dhe Ramush Haradinaj kanë thënë se nuk e përkrahin prijësen e listës “Guxo” për t’u bërë shefe e shtetit.
Për të diskutuar rreth themelimit të institucioneve të reja dhe shmangies së zgjedhjeve të tjera, në zyrat e Lidhjes Demokratike dje ka zbarkuar ambasadori amerikan, Philip Kosnett, megjithatë pas takimit nuk është dhënë ndonjë detaj rreth përmbajtjes së diskutimeve Abdixhiku-Kosnett.
Lidhur me rolin që duhet të ketë opozita dhe rreth çështjes së zgjedhjes së preidentit, diplomati amerikan, Philip Kosnett, ka shkruar sot një editorial për Indeksonline, ku ka sqaruar pozicionin e Qeverisë amerikane rreth këtij procesi.
Kosnett ka thënë se Qeveria të cilën e përfaqëson nuk është duke kërkuar as në mënyrë publike e as privatisht që dikush të votojë për një individ të caktuar për president.
Ai në shkrimin e tij thotë se edhe koha e presidentëve që dalin nga zarfi ka shkuar, derisa sqaron se ajo që po kërkon SHBA-ja është që të shmangen zgjedhjet tjera, të cilat do të kushtojnë shumë dhe që do ta lënë vendin në krizë edhe për një kohë të gjatë në mes të pandemisë.
“Më lejoni të jem i qartë. Qeveria ime nuk po kërkon, as publikisht e as privatisht, që ndonjë deputet të votojë për ndonjë individ të caktuar për president. Ditët e shënimit të emrave në zarf kanë marrë fund. Çka po kërkojmë është që procesi të ecë përpara për të shmangur kthimin në zgjedhje të reja të kushtueshme dhe muaj të tërë të mosfunksionimit gjatë kohës së pandemisë dhe krizës ekonomike”, ka shkruar Kosnett, në një op-ed, ku ka folur për rolin që duhet të ketë opozita në një demokraci funksionale dhe në një sistem parlamentar.