Është bërë sot prezantimi i projekti të Autostradës së tretë në Kosovë, Prishtinë – Gjilan-Konҫul. Ky projekt infrastrukturor do të ketë gjatësi 47.1 kilometra dhe do të përbëhet prej shtatë segmenteve. Gjerësia e kësaj autostrade do të jetë 32 metra, ndërsa në kuadër të këtij projekti do të ndërtohen katër ura. Kjo autostradë do të lidhë korridorin 6, 7 dhe 10.
Kostoja e përafërt e autostradës është afro 260 milionë euro, derisa për rrugët tjera hyrëse dhe dalëse vetëm për Gjilanin 14 milionë euro.
I tërë projekti planifikohet të përfundohet brenda dy vitesh.
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, theksoi se “është kënaqësi për mua që t’ju drejtohem në këtë takim të rëndësishëm në të cilin po shpalosim disa nga projektet më vitale për ekonominë e Kosovës, me theks në komunën e Gjilanit dhe tërë Anamoravën. Më duhet të theksoj se ky takim konfirmon seriozitetin e Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe lidhshmërisë së të gjitha qyteteve dhe vendbanimeve të kësaj ane me tërë Kosovën”.
“Listën e projekteve të mëdha për vendin tonë po e përmbyllim me autostradën Prishtinë- Gjilan-Dheu i Bardhë në gjatësi prej 47.1 kilometra, që është edhe arsyeja kryesore e këtij takimi të sotshëm. Tanimë ne kemi dorëzuar në BERZH projektin preliminar si dhe draftin fillestar të Vlerësimit të Ndikimit Shoqëror dhe Mjedisor dhe presim përgjigje pozitive nga ata. Në ndërkohë ne po shqyrtojmë edhe mundësinë e fillimit të financimit të segmentit të parë të këtij projekti gjegjësisht segmentin Prishtinë – Gjilan përmes buxhetit të Republikës së Kosovës, gjë që do të reflektohet në buxhetin për vitin 2017”, ka thënë Zharku.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, shprehu falënderimin për Ministrinë e Infrastrukturës, për përkrahjen e madhe në investimet infrastrukturore në këto anë.
Pjesëmarrës në këtë prezantim ishin kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kryetari i komunës së Kamenicës, Begzad Sinani, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, kryetari i komunës së Kllokotit Sreqko Spasiq, kryetari i komunës së Ranillugut, Gradimir Mikiq dhe kryetari i komunës së Novobërdës, Svetislav Ivanoviq.