Mentor Pllana
Përderisa vendet e zhvilluara kanë trendin më stabil të rritjes që ka njohur ndonjëherë njerëzimi, Kosova ka trendin më të madh të izolimit. Përderisa liderët politikë të vendit tonë bisedojnë për ujin, energjinë elektrike nga qymyri, dhe lirinë e lëvizjes, bota e zhvilluar bisedon për funksionimin e saj si një mendje globale ku të gjitha veprimet janë të ndërlidhura përmes botës online.
BOTA 3.0 KUNDEREJT KOSOVA 2.0 – MEGA NDRYSHIMET APO MEGA-TRENDET
Përderisa mega-trendet nga e kaluara po përshpejtojnë të sotmen tonë, ne po shkojmë drejt një të ardhme me shpejtësi marramendëse me plot lëkundje, ndryshime dhe kontraste. Pabarazia veç se po rritet, sepse sot 65 persona janë më të pasur se sa 3.4 miliardë individ apo një e dyta (1/2) e popullatës botërore. Nga ana tjetër, rënia e GDP-së (prodhimi i brendshëm bruto), rrënimi i bursave në vitin 2008 dhe më pas çmimi më i lartë i naftës që ka njohur njerëzimi prej 147$/Bareli janë disa paralajmërime.
Ndryshimet që i solli informata dhe interneti, si bazë kryesore mbi avancimet teknologjike, ekonominë digjitale, rrjetet sociale, Big Data, 3D printimi, inteligjenca artificiale dhe avancimi i robotëve flasin mjaft. Gjithashtu, kërkesa për energji që ngriti kostot e naftës gradualisht krijoi nevojën për energji të ripërtëritshme e cila po merr hov më të madh dita ditës. Si demonstrim, 1 Watt i energjisë së ripërtëritshme në vitin 1977 kishte kosto prodhimi 65 euro, ndërsa në vitin 2017 është 20 cent.
Si përfundim, vlen të përmendet edhe transporti e logjistika, ku po shohim revolucion me mjetet e transportit autonom dhe pajisjet tjera të mençura logjistike të cilat po ndërlidhen me kripto-valutat apo paranë digjitale dhe po sjellin demokratizimin e fuqisë financiare dhe ngritjen e vetëdijes mbi sigurinë kibernetike. Këto trendë po e përcaktojnë të ardhmen sot si BOTA 3.0, e ne ku jemi sot si Kosovë krahas këtij evolucioni ekonomik?
HISTORIA DHE E ARDHMJA EKONOMISË TONË?
Cila është rruga e Kosovës drejt Evropës dhe botës së zhvilluar? Kjo dilemë shfaqet për 18 vite pas luftës apo afërsisht pas dy dekadave në liri.
Gjatë periudhave të ndryshme të zhvillimit në ekonomi, rol kyç kanë luajt tre elemente si: informimi, energjia, dhe transporti. Më lejoni të zbërthej këtë shkurtimisht.
Shekullin 19 e karakterizoi platforma ekonomike 1.0, ku elementet për rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin modern ishin: Informimi përmes telegramit, Energjia nga qymyri dhe Transporti përmes lokomotivës me avull.
Shekulli 20 apo platforma ekonomike 2.0 ishte: Informimi përmes telefonit dhe televizionit, energjia nga nafta dhe gazi, transporti përmes motorit me djegie të brendshme.
E tani në Shekullin 21 çfarë po ndodh?
Evropa dhe Bota veçse i kanë adresuar këto elemente përmes platformës ekonomike 3.0:
INTERNETI: Përpos informimit dhe ndërlidhjes së njerëzve dhe gjërave, interneti është bërë një tru global ku përmes tij menaxhohen pothuaj komplet aktivitetet e çdo organizate serioze apo biznesi të suksesshëm dhe është thelbi i ekonomisë digjitale, si shtyllë e së ardhmes për një platformë ekonomike 3.0 që po e dërgon botën drejt një të ardhme plot inovacione siç është rasti i fundit i kripto-valutave.
ENERGJIA: Tani po shkohet drejt energjisë së ripërtëritshme e cila po fuqizohet mbi ekonominë e përbashkët dhe të shpërndarë (“shared economy”), apo thënë ndryshe internet-energjia. Sot shumë shtëpi po kthehen në qendra prodhuese të energjisë për të përmbushur nevojat familjare dhe më pas për ta shitur tepricën në rrjetin e distribucionit si fitim.
TRANSPORTI: Revolucioni i tretë është vet transporti që po ndodh tani, duke filluar nga mjetet autonome elektrike pa shofer tek transporti rrugor e deri tek dronët dhe transportet raketore që po komercializohen për udhëtime dhe logjistikë brenda dhe jashtë orbitës së tokës. E gjithë kjo po shpie tek rritja e produktivitetit dhe shkurtimi i kohës për të arritur qëllimet çdo individ, biznes, institucion apo shtet.
Këto elemente janë baza e ekonomisë 3.0 dhe përmes kësaj platforme, po adresohen shumë çështje në të mirë të njeriut dhe njerëzimit në përgjithësi. Si shembull mund të përmendim projektin “Smart Europe” apo “Evropa e mençur”, që tani i mbushi 10 vjet. Shembuj janë Gjermania në krye me Angela Merkelin, duke vazhduar me Danimarkën, Luksemburgun dhe së fundi edhe Slloveninë.
SI TA NDËRTOJMË PLATFORMËN EKONOMIKE – KOSOVA 3.0
Për momentin jemi në udhëkryq si shoqëri. Përmes veprimeve tona po kalojmë nga platforma ekonomike 1.0 në 2.0 apo nga shekulli 19 në shekullin 20, në vend se të kapërcejmë dhe përcjellim veprimet e Bota 3.0. Një analogji të asaj se çka po ndodh: nëse e marrim një bretkosë dhe e vendosim në një enë me ujë me temperaturë të lartë, ajo do të kërcejë dhe do të shpëtojë, mirëpo nëse e vendosim bretkosën në enë me ujë të ftohtë dhe ndërkohë e rrisim temperaturën e ujit, ajo do të bie viktimë e rrethanave. Si bretkosa në ujë që po përvëlon veten, jemi duke rënë viktimë e asaj që po krijojmë. Jemi mbërthyer nga shkurtpamësia.
Fuqishëm kemi nevojë të kalojmë nga fuqia punëtore në fuqi mendore, sepse ne nuk i kemi resurset natyrore të SHBA-së, Rusisë, Kinës apo të Indisë që të mbështetemi në to. Ne kemi nevojë të katapultojmë rininë tonë me njohuri – si resursi më kritik dhe më i dobishëm që kemi. Por fatkeqësisht rinia jonë nuk do mbetet e re përgjithmonë dhe Kosova po derdh “gjakun ekonomik” përmes mos investimit dhe emigrimit, duke krijuar GYRBETQAR 3.0 në vend se platformë ekonomike 3.0.
Ndërtimi i elementeve të platformës për zhvillimin ekonomik dhe social adresohen në çdo shtet e po ashtu edhe në Kosovë përmes tre shtyllave.:
– AKADEMIA E SHKENCAVE TË KOSOVËS – Zhvillimi dhe ndërtimi i kuadrove profitabile për fusha të caktuara strategjike në përputhje me kërkesat e tregut lokal por dhe atij global.
– QEVERIA E KOSOVËS – Ligjet dhe subvencionet me të cilat qeverisin sigurinë, ekonominë, edukimin, shëndetësinë, ushqimin, infrastrukturën etj.
– SEKTORIN PRIVAT – Që janë motori i zhvillimit ekonomik dhe fuqizimin e rinisë, përderisa tatimi në fitim e forcon më tutje shtetin dhe rritë buxhetin.
Ky trekëndësh paraqet kornizën e zhvillimit, ku bizneset konsideroj të jenë shtylla e zhvillimit të Kosovës. Përkrahja e tyre është esenciale për çdo lëvizje tutje të shoqërisë sonë, drejt tregut të Evropës dhe Botës përmes një platforme ekonomike 3.0, ku bizneset do të kenë prioritetin e tyre ashtu siç e meritojnë.
Platforma për Ekonominë Digjitale 3.0 le ti jap prioritet bizneseve, të rinjve, profesionistëve dhe Akademisë së Kosovës. Vetëm kështu do të përgatitemi për eksport të produkteve dhe shërbimeve dhe ndoshta të jemi në gjendje t’i shërbejmë shteteve të rajonit, vendeve në zhvillim, vendeve të Bashkimit Evropian, e pse jo edhe SHBA-së, Kinës e Indisë.
Vetëm kështu do të fitojmë “liberalizimin ekonomik” dhe do t’i kalojmë kufijtë, duke eksportuar dhe mbushur buxhetin e shtetit me tatim. Nga ana tjetër nga konkurrenca dhe kërkesa globale, do të rritej interesimi për edukim-arsimim të duhur, duke u fokusuar në teknologjinë e informacionit, teknologjinë e energjisë dhe teknologjinë e transportit.
ELEMENTET KRYESORE PËR ZHVILLIMIN EKONOMIK – KOSOVA 3.0
Rrugëtimi jonë për një ekonomi të re, për një Kosovë 3.0, përbën tre shtylla:
– PLATFROMË ELEKTRONIKE 3.0
– FOND PËR INVESTIME 3.0
– FONDACIONIN 3.0
Platfroma Elektronike 3.0 duhet të digjitalizoj bizneset e Kosovës për investitorët dhe partnerët e jashtëm. Bizneset kanë nevojë të jenë prezent online dhe të edukohen për trendet botërore dhe mundësitë për eksport dhe bashkëpunim ndërkombëtarë. Një iniciative e tillë tashmë ekziston përmes fingermarket.com si pikënisje e shkëlqimit të diellit për ekonominë e vendin tonë dhe potencialisht model për mbarë botën digjitale të biznesit.
Fondi për Investime 3.0 ka nevojë të ndërtohet mbi grupe kompanish me interesa nacionale të cilët do të eksportojnë së bashku në tregun e BE-së, me qëllim që të ndërtojnë kapacitete për vendin tonë dhe investojnë në rini duke shitur produkte dhe shërbimet në Evropë.
Fondacioni 3.0 do të krijohet që të ndihmoj të rinjtë për të hapur dhe zhvilluar biznese (Start-ups) që të zhvillojnë Kosovën dhe në të njëjtën kohë të investoj në këto kompani që t’i rrisim përtej Kosovës.
Kjo do të ishte KOSOVA 3.0 – një ridefinim i vlerave tona si shoqëri dhe si rezultat ne:
– Nuk do të eksportojmë rini që të kemi GYRBETÇARË 3.0 mirëpo do të kemi SHËRBIME e PRODUKTE 3.0.
– Nuk do ta largojmë rininë pa shpresë për këtë vend, por do të kemi më shumë TATIME NË FITIM 3.0 për t’a zhvilluar këtë vend.
– Nuk do të kemi akademi që të punojnë si fuqi punëtore në botë, por do të kemi platformë ekonomike ku do të eksportojmë Fuqi Mendore 3.0.
Mjaft me autostrada dhe siguri se kemi 18 vite që ndërtojmë rrugë dhe jetojmë në liri nën mbrojtjen e partnerëve ndërkombëtarë. Kemi probleme me zemrën, jo me këmbën e dorën, e ajo është ekonomia. Më shumë përkrahje për biznese e eksport, e më shumë buxhet për studentin, profesorin dhe inovacione.
Jemi duke e sharruar degën në të cilën jemi ulur tash e 18 vite, ka ardhur koha ta ujisim pemën që të na jep fryte. Koha është të mendojmë më thellë për problemin dhe zgjidhjen. Nëse kemi liberalizim të vizave e nuk kemi ekonomi, do të kemi gjithçka përveç rini dhe Kosovë.
Nuk e kemi luksin ta përjetojmë edhe një herë si komb Kurbetin 3.0 dhe ta vizitojmë Kosovën si turist. Kemi nevojë për Kosovën 3.0, një vend të zhvilluar e të integruar në familjen e madhe evropiane me të rinj e të reja profesional dhe plot shpresë, e me shtet dhe lidership të përgjegjshëm, me buxhet plot për jetë e mot!
Koha është e Kosovës. Kosova është gati për epokën e ekonomisë digjitale.