Kosova me ambasadë në Senegal

Prishtinë | 18 Qer 2017 | 13:12 | Nga

Diplomacia kosovare ka bërë edhe një shtrirje të re gjeografike, duke u bërë me përfaqësim dhe prezencë të përhershme diplomatike edhe në kontinentin afrikan.

Ambasadori i Republikës së Kosovës, Ramadan Gashi, i ka dorëzuar letrat kredenciale tek Presidenti i Shtetit të Senegalit, SH. T. Z., Macky Sall, duke u bërë Ambasadori i parë i akredituar dhe rezident i Kosovës në këtë shtet.

Në kuadër të kësaj ceremonie, Ambasadori Gashi ka falënderuar Presidentin senegalez për pritjen e ngrohtë në shtetin e tij, duke shprehur më pas përkushtimin dhe vullnetin e Institucioneve të Republikës së Kosovës për thellimin dhe zgjerimin e e mëtejmë të marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe dy popujve.

“Është privilegj që e përfaqësoj shtetin e Kosovës, në një vend me bukuri të jashtëzakonshme, por, para së gjithash, në vendin e paraardhësit Tuaj dhe themeluesit të shtetit të Senegalit, Presidentit, Léopold Sédar Senghor, me të cilin vendi i Juaj Z. President, por, edhe bota mburret me të. Personalisht, mburrem që kam pasur rastin ta takoj, në Bruksel, dy herë radhasi gjatë vitit 1988, për t’i folur që në atë kohë për Kosovën, e cila pësonte okupimin dhe terrorin e regjimit komunist jugosllav dhe serb të asaj kohe.”, ka thënë Ambasadori Gashi.

Në vazhdim të takimit, Ambasadori Gashi, gjithashtu, e ka falënderuar Presidentin Sall për gatishmërinë e Senegalit për njohjen e shtetit të Republikës së Kosovës, që në ditët e para pas shpalljes së Pavarësisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme