Kosova anëtarësohet edhe në një mekanizëm ndërkombëtar kulturor. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka marrë konfirmimin për anëtarësim në Federatën Ndërkombëtare të Këshillave të Arteve dhe Agjencive të Kulturës (IFACCA) i cili është rrjet global i këshillave të artit dhe ministrive të kulturës, me organizatat anëtare në mbi 70 vende.Rolin kryesor bartës në procesin e këtij anëtarësimi e ka pasur Task-Forca për anëtarësim të Kosovës në Institucionet/Mekanizmat Ndërkombëtare të Kulturës.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtarësimin në IFACCA e vlerëson jashtëzakonisht të rëndësishëm ngase mundëson qasjen në një rrjet ndërkombëtar është i dedikuar në përmirësimin dhe zhvillimin e politikave kulturore, krijimin e fondeve të artit, zhvillimin e audiencës dhe qasjes publike në arte. Anëtarësimi në fjalë do të shërbejë në krijimin dhe zhvillimin e politikave më të mira në fushën e artit e të kulturës në Kosovë dhe në promovimin e aktiviteteve kulturore përbrenda vendit dhe në skenën ndërkombëtare. Anëtarësimi do të mundësojë edhe shkëmbimin e përvojave dhe rritjen e bashkëpunimit me shtetet tjera anëtare.
IFACCA është themeluar në vitin 2000 dhe ka selinë në Sidnej të Australisë.Misioni i kësaj federate ka të bëjë me krijimin e bashkëpunimit efikas dhe afatgjatë në sektorin e artit e të kulturës mes shteteve anëtare me qëllim të ndarjes së njohurive dhe përvojave për të zhvilluar dhe forcuar këtë fushë duke forcuar partneritetin dhe nxitur dialogun. Ndër aktivitetet e shumta që organizon kjo federatë, mban edhe Samite të ashtuquajtura “të shkallës së vogël” ashtu sikurse samiti i fundit botëror i organizuar në Valletta të Maltës (18-21 tetor 2016).
Ndërkaq, kujtojmë se themelimi i Task-Forcës është propozim i MKRS-së të cilën Qeveria e ka miratuar me 1 qershor të 2016-6ës dhe përbëhet nga përfaqësues të: Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit – kryesues; Presidencës, Kryeministrisë, Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Integrimeve Evropiane, përfaqësues nga shoqëria civile dhe ekspertë të pavarur.