Kosova ndodhet shumë larg përmbushjes së kritereve që e përafrojnë atë me integrimin në Bashkimin Evropian (BE).
Moszbatimi i Agjendës Evropiane dhe stagnimi i dialogut Kosovë-Serbi po e pamundëson marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE.
Demush Shasha nga Instituti EPIK, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se marrja e statusit të kandidatit, duhet të jetë një ndër prioritetet e para të Qeverisë.
Ai ka thënë se para dorëzimit të aplikimit, institucionet duhet të shënojnë progres në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës.
“Marrja e statusit vendit kandidat është hapi i ardhshëm i cili e pret Kosovën në rrugën e saj integruese. Kosova është vendi i fundit në procesin e integrimit evropian madje edhe mbrapa Bosnjës. Pasi që e vetmja gjë që ekziston në rrugën integruese të Kosovës është Marrëveshja Stabilizim Asociimit”.
“Kërkesa për statusin e vendit kandidat për të qenë e suksesshme duhet t’i përmbush disa parakushte. Parakushtet janë që para dorëzimit institucionet duhet të shënojnë një progres të ndjeshëm në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës dhe kjo i bie specifikisht që institucionet duhet të shënojnë një nivel të shkëlqyeshëm të marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe duhet të sigurojnë përmbushjen e plotë të Agjendës Evropiane”.
Shasha me tutje theksoi se në qoftë se Kosova i përmbush këto atëherë deri në vitin 2023 mund të dorëzojë kërkesën.
“Nëse Kosova përmbush këto kritere që e parë është zbatimi i Marrëveshjes stabilizim Asociimit, zbatimi i agjendës së reformave dhe progresi në marrëdhënien e dialogut Kosovë-Serbi, nëse kjo ndodh atëherë mund të llogaritim që me një skenar optimist Kosova mund të dorëzojë kërkesën e statusit së kandidatit deri në vitin 2023”.
“Çdo gjë që kërkohet për të dorëzuar kërkesën për status të vendin kandidat është një shkresë një faqe. Por pjesa më e vështirë është përmbushja e tri kritereve. Nëse shikojmë vetëm zbatimin e MSA-së në vitet e fundit ne shohim një zbatim jo të kënaqshëm ku ky zbatim çdo vit sillet rreth 50%”, tha Shosha.
Ai mes tjerash ka thënë se është shumë e vështirë që brenda 3-4 vjetëve të ardhshme të fitohet statusi i vendit kandidat, sepse procesi i zgjerimit çdo vit është më sfidues.
Sipas tij, marrja e statusit të vendit kandidat në BE deri në vitin 2023-2024 është e mundur, por kërkon punë të jashtëzakonshme.
“Tri vite që janë para nesh janë 36 muaj dhe është një kohë e konsiderueshme dhe përgjigjja varet nëse institucionet e Kosovës përfundojnë detyrat e shtëpisë por duhet të jemi real dhe të bëjmë të qartë se brenda 3-4 viteve të ardhshme është shumë vështirë që të fitohet statusi i vendit kandidat sepse këtë e themi duke pasur parasysh që procesi i zgjerimit çdo vit e më shumë është më sfidues dhe në këtë rast nëse marrim rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut shohim se vetëm për nisje të negociatave këtyre dy vendeve ju kërkohet më shumë sa që iu është kërkuar Kroacisë në rastin e anëtarësimit në BE. Marrja është mundshme deri në vitin 2023-2024, por kërkon punë të jashtëzakonshme”.
Shasha ka komentuar edhe mos njohjen e pesë vendeve anëtarë të BE-së. Sipas tij, kjo është çështje që duhet të zgjidhet paralelisht.
Ai ka thënë se theks i veçantë duhet t’i vihet detyrave që po e presin Kosovën, ndërsa mos njohja e pesë vendeve ai është i bindur që zgjidhet brenda BE-së.
“Mos njohja e 5 vendeve të Pavarësisë së Kosovës është një çështje e cila duhet të zgjidhet paralelisht me progresin në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Theksi duhet të jetë në përfundimin e detyrave që po na presin ndërsa zgjidhja për votën e 5 vendeve mos njohëse jam i bindur që do të zgjidhet brenda BE-së”.
Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se aplikimin për statusin e kandidatit, merr kohë deri në tri vjet.