Taksa nga Kosova, ndaj Bosnjës e Hercegovinës do të diskutohet përmes negociatave bilaterale mes dy vendeve.
Ministri i Tregtisë së Jashtme dhe i Marrëdhënieve Ekonomike i BeH, Mirko Sharoviq ka konfirmuar sot se pala kosovare, me kërkesë të Bosnjës e Hercegovinës ka pranuar negociata bilaterale për shfuqizimin e vendimit për vendosjen e taksës 100 për qind në mallrat nga ky shtet, raporton klix.ba.
Sipas këtij burimi, tashmë janë në zhvillim e sipër përgatitjet për takime bilaterale në nivel ekspertësh për gjetjen e zgjidhjeve adekuate dhe për pengimin e pasojave më të mëdha të shkaktuara nga masat e marra nga Kosova.
“Nuk mund ta parashohim rrjedhën, por është me rëndësi se ia kemi dalë të hapim negociatat në nivel ekspertësh. Në vend se të aplikojmë kundërmasa, që askujt nuk do t’u shërbenin, kemi krijuar kushte që problemet të zgjidhen në nivel profesional, meqë qëllim ynë parësor është të mbrojmë bizneset vendore të cilat gjatë muajve të fundit nuk mund të eksportojnë në përputhje me rregullat e tregtisë së lirë dhe që të pengojmë dëmet”, citohet të ketë deklaruar Sharoviq.
Bosnja e Hercegovina është dëmtuar së paku për 4,5 milionë dollarë pas vendosjes së taksës në prodhimet e BeH nga ana e Prishtinës.
Citohet po ashtu ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili të mërkurën ka deklaruar se nuk mund të refuzohet kërkesa e SHBA për heqjen e taksës në prodhimet nga Bosnja e Hercegovina dhe Serbia.
Qeveria e Kosovës në fillim të nëntorit ka vendosur masa mbrojtëse ndaj importit të të gjitha prodhimeve nga Serbia e BeH.