Është nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi në fushën e regjistrimit të bizneseve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë Veriore, raporton Ekonomia Online.
Drejtoresha e Agjencionit për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, Nexhmie Selimi, tha se me këtë nënshkrim synojnë bashkëpunimin e plotë të midis dy vendeve.
“Agjencioni për Regjistrim të Bizneseve po bënë hapa të mëdhenj në regjistrimin e bizneseve. Me sistemin e ri elektronik të gjitha bizneset po pajisen me numrin unik. Me këtë memorandum synojmë bashkëpunimin e plotë midis dy vendeve për të forcuar sistemet tona në regjistrimin e bizneseve. E kemi parë të nevojshme këtë bashkëpunim për të forcuar regjistrimin e bizneseve dhe për të marrë së bashku trajnime bashkëpunuese”, tha ajo.
“Ky memorandum shërben për shkëmbim të të dhënave dhe informacion, përmirësimi i platformës teknologjike, zhvillimi i përbashkët i tregjeve, edukimi dhe trajnimi, modelimi i proceseve të bizneseve, përmirësimi i sigurisë, përmirësimi i legjislacionit”.
Drejtoresha për Biznes në Republikën e Maqedonisë Veriore, Marija Bushkofska, tha se nënshkrim i këtij memorandumi tregon bashkëpunimin jo vetëm midis këtyre dy institucioneve, por edhe atyre shtetërore.
“Kënaqësi e veçantë është që jam sot prezente këtu dhe që do të bëjmë nënshkrimin e memorandumit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Nënshkrimi është burimi i bashkëpunimit të mirë jo vetëm ndërmjet këtyre dy institucioneve, por edhe atij shtetëror dhe me ju do të ndajmë të gjitha eksperiencat e punës”.
“Duke pasur parasysh se regjistri i Maqedonisë ka më shumë regjistra dhe ne si institucion mundohemi që t’i përmbushim gjithë këto nevoja dhe për këtë arsye jemi më lartë se disa vende të tjera. Sigurim i një shërbimi të shpejtë është caku ynë kryesor. Me regjistrin institucioni ynë do të bashkëngjitet në luftën kundër shpëlarjes së parave”, tha ajo, raporton EO.
Ky memorandum ndihmon në nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë se Veriut, përveç shkëmbimin e informatave në regjistrimin e bizneseve, gjithashtu do të
ndikojë në thellimin e bashkëpunimit edhe në fusha tjera me interes të përbashkët për të dy vendet.