Kosova dhe Shqipëria diskutojnë për hapjen e konsullatave të përbashkëta

Prishtinë | 01 Qer 2018 | 16:52 | Nga

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Fitim Sadiku, ka pritur sot në një takim pune homologun e tij nga Shqipëria, Sekretarin e Përgjithshëm, Ambasador, Gazmend Barbullushi.

Në kuadër të këtij takimi të nivelit të lartë nga të dyja vendet u diskutuan çështje të interesit të përbashkët, me një fokusim të veçantë në ato që prekin funksionalizimin e Konsullatave të Përbashkëta si dhe lehtësimit të Shërbimeve Konsullore për shtetasit e të dyja vendeve.

Në këtë drejtim, u shtruan ide për ofrimin e Shërbimeve Konsullore në hapësira të ndryshme gjeografike, respektivisht në shtete, ku njëri nga dy vendet nuk ka përfaqësim diplomatik.

Para pak kohësh Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, kishte ngritur idenë e blerjes së objekteve të përbashkëta në qendra të rëndësishme politike botërore, çështje kjo që u theksua në margjina të këtij takimi edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ambasador Barbullushi dhe që u pranua me interes të veçantë edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit në mes të dyja Ministrive respektive sot kanë disa Konsullata të Përbashkëta.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme