Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një takim në Tiranë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Takimi u mbajt në margjina të Samitit IV të Diasporës, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fusha të ndryshme, me fokus në interesin e përbashkët kombëtar.
Konjufca përme një postimi në Facebook ka njoftuar se në qendër të diskutimeve ishte edhe procesi i integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe rolin e rëndësishëm që Shqipëria vazhdon të luajë në mbështetje të këtij procesi.
“Shpreha mirënjohjen time për angazhimin e Ministrit Hoxha dhe të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë në çdo platformë globale, në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe avancimin drejt anëtarësimit në BE, NATO dhe OKB.
Në kuadër të Samitit të Diasporës, diskutuam gjithashtu për rëndësinë e një qasjeje të koordinuar ndërmjet dy vendeve tona në angazhimin dhe fuqizimin e diasporës shqiptare kudo në botë, si një potencial i jashtëzakonshëm për zhvillimin ekonomik e shoqëror i vendeve tona”, ka shkruar Konjufca.
Në margjinat e Samitit, ai ka ka marr pjesë gjithashtu në një panel diskutimi së bashku me Ministrin Hoxha dhe përfaqësues të tjerë nga trevat shqiptare, ku u trajtua roli i diasporës shqiptare dhe nevoja për të bërë më shumë në drejtim të përfshirjes së saj.
“Kosova dhe Shqipëria përveç se ndajnë gjuhën, historinë e sakrificën, ndajnë dhe një të ardhme të përbashkët, të cilën do të vazhdojmë ta ndërtojmë së bashku, me përkushtim dhe vizion të qart”, ka shkruar Konjufca.