Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) kanë organizuar Forumin Ekonomik Kosovë-Slloveni, në të cilën morën pjesë 40 kompani sllovene të sektorëve të ndryshme. Ky takim është mbajtur për të thelluar bashkëpunimin bizneset kosovare me ato sllovene.
Safet Gërxhaliu, kryetar i OEK, tha se duke marrë parasysh eksportet e Sllovenisë që janë afro 30 miliardë euro duhet të avancojmë më shumë këtë bashkëpunim, raporton Ekonomia Online.
“Kemi një forum ekonomik me një shtet mik çfarë është Sllovenia. Është një shtet mik me të cilin po e ndërtojmë dhe po e fuqizojmë të ardhmen. Në aspektin ekonomik Sllovenia nga ish hapësira e Ballkanit Perëndimor me sukses e ka kaluar transpozicionit dhe tani është pjesë e fuqizimit në kuadër të familjes evropiane. Eksportet e Sllovenisë janë afro 30 miliardë euro. Në qoftë se bëjmë një analizë në mes Kosovës dhe Sllovenisë kemi shumë më tepër arsye për të avancuar këtë bashkëpunim”.
Ante Millovoj, nga Oda Sllovene ka theksuar se biznesi slloven është i interesuar të ndihmojë atë kosovar. Ai tha se modeli profesional slloven duhet të ofrojë zgjidhje edhe në shtetin e Kosovës.
“Është kënaqësi që kemi një shancë me një komunikim të drejtpërdrejt. Ne kemi një rritje të mirë ekonomike. Ekonomia jonë ka kryer borxhe dhe është zhvilluar”, ka thënë Millovoj.
“Jemi të interesuar të heqim mosbilancin në mardhënie ekonomike. Dua të veçoj bashkpunimin për reciklimin e mbetjeve dhe fabrika për pastrimin e tokës. Biznesi slloven është i hapur për iniciativa me Kosovën. Modeli jonë profesional dhe arsimor mund të ofroj zgjedhje të duhur për interes dy palësh”, shtoi ai.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli tha se është shqetësuese fakti që 110 milionë euro janë importuar më 2017, ndërsa vetëm 1 për qind e asaj janë eksportuar.
“Kemi një mosbalancim marramendës tregtar. Vitin e kaluar kemi importuar 110 milionë euro e kemi eksportuar 1 për qind të asaj dhe ne nuk jemi aspak të nervozuar, ne me kënaqësi i konsumojmë prodhimet sllovene”.
“Inkurajoj bizneset sllovene që ta konsiderojnë tregun kosovarë jo vetëm për të plasu produktet por edhe për fuqinë puntore e cila është shumë proaktive”, shtoi Pacolli.
Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Karl Erlavec, tha se edhe marrëdhëniet politike luajnë rol në zhvillim të bashkëpunimit ekonomik, raporton EO.
“Një kohë shumë të madhe ja kemi dedikuar bashkëpunimit ekonomik. Mua më duket diplomacia ekonomike si parakusht për marrëdhënie të mira miqësore politike. Unë jam i bindur se marrëdhëniet politike do të thotë se duhet edhe një bazament i duhur për zhvillim ekonomik”, ka thënë Erlavec.
Në fund ai shtoi se Sllovenia mbetet mbështetëse e madhe e Kosovëss në rrugën e saj evropiane.
Më pas u nënshkrua protokoll i bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Sllovenisë. Guner Ureya, drejtor i departamentit për diplomaci ekonomike në MPJ e Kosovës dhe nga MPJ e Sllovenisë, Alenka Suhadolnik, nënshkruan marrëveshjen.