Kosova do të bëhet më “normale” pas 9 shkurtit 2025

Prishtinë | 22 Gus 2024 | 11:23 | Nga Shenoll Muharremi

Ky është viti i fundit me këtë kontekst dhe skenë politike. Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, shumëçka do të ndryshojë. Koha kur një parti ka dominuar kaq shumë, një oligarki politike, do të përfundojë. Do futem në një peridhë me bashkëqeverisje, me përfshirje më të gjërë. Kosova do të përfitojë, do të bëhet më normale, politikat e saj të jashtme dhe qeverisja më e efektshme.

Por mos të nxitojmë, LVV dhe Albin Kurti nuk do të shkojnë askund. As qeverinë e ardhshme nuk do të përcaktojë ambasadori amerikan. Qeverinë, me shumë probabilitet, do ta formojë përsëri Albin Kurti dhe LVV të cilët, përkundër që nuk do kenë gjysmën e votave, do t’i fitojnë diku në rajonin e 38%. Kjo u mundëson që përsëri të jenë në qeveri si partia më e madhe në vend, por modeli i qeverisjes do të ndryshojë se atyre ju duhet një partner serioz për bashkëqeverisje.

PDK apo LDK, cili do të jetë partneri i LVV-së në qeverinë e ardhshme. Kjo ndoshta do të jetë dilema dhe vendimi më i madhe gjatë muajit mars 2025. Secila prej tyre i përmbushin kushtet dhe nevojat që të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme bashkë me LVV-në. Diskutimet më të mëdha do të bëhen rreth postit të kryeministrit. Këto dy parti opozitare do kërkojnë me ngulm që të marrin postin e kryeministrit dhe do të mund të përdorin këtë si pozicion negociues deri në ekstrem.

Eventualisht, i përballur me alternativa apo opcionin e kalimit në opozitë, LVV dhe Kurti do të pranojnë në fund këtë kusht, edhe pse mund të gjinden modele kreative ku ndoshta pozita e Kryeministrit mund të ndahet në dy pjesë nga dy vite. Kjo nënkupton që Kurti mund të bëhet kryeministër derisa lirohet vendi i tij për President. Pastaj, partneri i koalicionit mund të marrë pozitën e kryeministri, rrjedhimisht Berdi Hamza apo Lumir Abdixhiku.

Cilat janë gjasat dhe cili është modeli më i përshtatshëm për koalicion? Ndoshta LVV dhe LDK janë më të afërta dhe më pak armiqësore me njëra tjetrën. Në parim, një koalicion LVV-LDK do të dukej më i natyrshëm. Por duke pasë parasysh që lidershipi i LDK është më rigjid dhe gjithashtu nuk ka treguar ambicie dhe shkathësi për partneritete strategjike, kjo mundësi mund të iu ikë nga dora.

E në anën tjetër modeli modest i liderit të PDK do të mund të jetë një avantazh gjatë negociatave. Krasniqi nuk duket shumë i interesuar për pozita të larta. Ai e liroi pozitën e kryeministrit për Bedri Hamzën, diçka që nuk mund të shifet shumë te politikanët e Ballkanit të etur për pushtet. Ndoshta Bedri Hamza, si një opsion më teknik, do të mund të jetë opsion më i mirë për LVV.

Nevojitet një analizë më e thellë për të parë se cili opsion do të jetë më i përshtatshëm dhe mundshëm, por sipërfaqësisht duket që fati e favorizon variantin e koalicionit LVV-PDK. Fundja Kurti nuk po arrinë të reformojë drejtësinë në Kosovë vetë. Ndoshta saktësisht PDK-ja mund të jetë çelësi për reformën kryesore të LVV-së. Jo medomos që ata janë idhtarë të reformës, por për shkak se mund të jenë një mjet esencial.

Koalicionin LVV-PDK gjithashtu mund të ndihmojë vazhdimin e reformave në PDK. Reforma të cilat duket iu nevojitet një shtytje nga jashtë. Përderisa Kurti dhe LVV do të mund të shpërbleheshin nga nja koalicion i tillë me refomat e shumë nevojshme në drejtësi, PDK do përfitonte të vazhdojë reformat e brendshme dhe të sjellë në sipërfaqe një model të ri të politikanëve, sikur kanë bërë me disa persona në kryesi kohën e fundit.

E LDK gjithashtu do të përfitojë me këtë variant. Kjo për shkak se LDK-ja do të mbetet opozita e vetme në Kosovë. Ata e kanë kryeqytetin dhe thujase të sigurt qeverisjen, ashtu si po kanë dëshirë, të qeverisë mandatin e ardhshëm, pas kësaj të zgjedhjeve 9 shkurtit.

Një gjë tjetër e rëndësishme mbetet roli i presidentes. Pasiqë ka kompletuar një cikël politik ku ka arritur kulmin, tash me siguri duhet të vendosë nëse strategjika e aleancave politike duhet të vazhdojë me LVV-në e Kurtin apo të bëhet një kthim senzacional në LDK. Në rast të një qeverie LVV-PDK, atëherë zgjedhja natyrale është opsion i kthimit në LDK. Edhe ashtu fryma Rugoviane e saj ndërlidhet më shumë me ish-partinë e saj të vjetër edhe pse një vazhdim i bashkëpunimit me Kurtin është i mundshëm.

Në përgjithësi, na presin ndryshime dhe Kosova do të duket ndryshe nga kjo gjatë katër vitet e fundit. Edhe Albin Kurti dhe LVV kanë mësuar gjatë këtyre 4 viteve të vështira dhe do të jenë më të përgatitur sesa tani. Partneri i koalicionit do të jetë një ndihmesë e madhe për ta. Me siguri që gjatë mandatit të dytë, LVV nuk do të kritikohet as shumë dhe do të mund të fokushet dhe të nxjerrë pjesën më të mirë të saj.

Gjithasthu edhe qytetarin dhe bizneset kosovare i presion një periudhë me stabilitet më të madh. Me siguri që LVV-ja do fokusohet t’i mbajë ministritë që ndërlidhen me drejtësi, punë të brendshme dhe mbrojtje. Dikasteret e ekonomisë dhe politikës së jashtme do të ekzekutohen nga partneri i koalicionit.

Më shumë stabilitet, më shumë bashkëpunim, qeverisje më të gjërë si dhe më shumë fokus në ekonomi dhe diplomaci do të mund të shohim gjatë mandatit të ardhshëm, derisa politikat qeveritare të sundimit të ligjit do të mbesin të njëjta. Mbi të gjitha, do të kemi një rast dhe dritare të mundësisë për përparim në refomën e drejtësisë.

Të ngjashme