Presidenti Hashim Thaçi dhe zv.kryeministri i Parë e ministër i Jashtëm i Kosovës, në kuadër të javës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kanë takuar mbrëmë në New York, ministrin e Punëve të Jashtme të Singaporit, Vivian Balakrishnan.
Të dy palët kanë shprehur vullnetin e tyre për hapjen e një Zyre për Çështjet Ekonomike dhe Tregtare të Republikës së Kosovës në Singapor, njofton Zyra e Presidentit nëpërmes një komunikate shtypi.
Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen ndaj Singaporit për miqësinë dhe partneritetin e treguar ndaj Kosovës, për vendimin e qeverisë së këtij shteti për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën, si një fillim i një bashkëpunimi të suksesshëm.
“E përgëzova ministrin Balakrishnan për zgjedhjen e Presidentes së re të Singaporit, Halimah Yacob. Singapori është një model se si multi-kulturalizmi është një forcë e një shoqërie”, ka thënë presidenti Thaçi gjatë takimit me Ministrin e Jashtëm të Singaporit, duke shtuar se Kosova është e interesuar të zgjerojë bashkëpunimin dypalësh me Singaporin, veçanërisht në fushat e ekonomisë dhe tregtisë.
Presidenti Thaçi e falënderoi ministrin Balakrishnan për gatishmërinë për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.