Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka organizuar tryezën me temën, “Në kërkim të një konsensusi: Çfarë po kërkon Serbia nga procesi i dialogut me Kosovën?”.
Agron Bajrami kryeredaktor i gazetës, “Koha Ditore” tha se Kosova para se të shkojë në procesin e ri të dialogut duhet të vendosë vija të kuqe të cilat nuk do mund të ndryshohen në raport me kërkesat që ka Serbia.
Ai propozoi që vijat e kuqe të përfshijnë parime që si kufijtë e të gjitha shteteve edhe të Kosovës të mos lejohen në bisedime për ndryshimn e tyre.
“Territori i Kosovës është i pandashëm dhe të qeveriset vetëm nga institucionet e Kosovës nga të zgjedhurit e popullit si dhe Kosova të marrë pjesë në procesin e dialogut me parime dhe elemente që nuk janë në kundërshtim me ato të BE-së”, tha Bajrami.
Sipas tij Kosova nuk i ka të sqaruara detyrat e saj dhe se është koha e fundit kur institucionet tona të dalin me plan strategjik të qartë, se çka duan të nxjerin nga ky proces.
Kurse Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje tha se Kosova po ballafaqohet me katër projekte të dëmshme për vendin, të cilat janë: Iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, Demarkacioni me Malin e Zi, procesi i dialogut dhe tendenca për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Sipas saj dialogu me Serbinë është i rëndë për Kosovën por që i ka hapur rrugë Serbisë për anëtarësim në BE.
“Dialogu me Serbinë, ishte i rëndë për Kosovën sepse përmes këtij dialogu Serbisë i’u lehtësua rruga për në BE, e neve na uu shtua fusnota, e u largua fjala Republikë”, tha Haxhiu.
“Sistemi i drejtësisë u nda në dysh, u aministuan kriminelët serbë. Dialogu pa kushte, pa parime krijon koncesione. Kjo është përcjell me jo transparencë dhe jo llogaridhënie. Ne kemi pasur të drejtë për kundërshtim sepse përmes këtij procesi Serbia e përshpejtojë rrugën drejt BE-së, e përforcojë pozicionin brenda Kosovës. Jemi shumë larg anëtarësimit në BE, raporti i zgjerimit nuk jep afate se kur mund Kosova të anëtarësohet”.
Ndërsa Valon Murati, kryetar i Lëvizjes për Bashkim, tha se ky subjekt politik është i pari që ka propozuar që Kosova dhe Serbia të zgjidhin problemet përmes dialogut politik.
“LB ka qenë subjekti i parë politik që ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë probleme dhe duhet të zgjidhen përmes dialogut, kur LVV kanë qenë kundët bisedimeve, ne kemi thënë që bisedimet të jenë politike”, tha Murati.
Qasja e kësaj partie është ndryshe nga ajo e LVV-së dhe nga raporti i gazetës “Koha Ditore”, sepse Murati mendon qe Kosova duhet të dalë jashtë kornizave të specifikimit të çështjeve për bisedime me Serbinë.
Ai tha se problemi kryesor i Kosovës në dialogun me Serbinë është se Kosova nuk ka poseduar platformë për bisedime.
“Problemi kryesor që nuk kemi është se nuk kemi pas platformë për bisedime, të tjerët kanë caktuar agjendën, nuk ka pasur konsensus të mirëfilltë dhe bisedime të mirëfillta”, tha Murati.