Përzgjedhësi i përfaqësueses U-21 të Kosovës, Rafet Prekazi, qëndroi i heshtur disa sekonda në konferencën për media para se të thoshte se do të ishte i kënaqur nëse ekipi tij do ta siguronte një barazim kundër Anglisë.
Prekazi ka thënë se ekipin e tij e pret ndeshje e vështirë ndaj anglezëve të premten, porse ka kërkuar maksimumin në fushë.
Kosova e pret Anglinë të premten (sot, 19:00) në “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për kampionatin evropian “Euro 2021”.
Ndeshja do të zhvillohet pa praninë e shikuesve dhe me numër të kufizuar të pjesëtarëve të mediave dhe zyrtarëve.
“Është e tepërt të flasim për Anglinë, si fuqi botërore që është. Kosova i ka lënë përshtypje dhe ka ardhur më e fortë sesa që ishte kur kemi luajtur në ndeshjen e parë. Si trajner, në situatën që jemi për hir të së vërtetës, nuk kam qenë frikacak, e as lojtarët nuk i kam të tillë, por duke e ditur situatën me mungesa, nuk e di që nuk e kishte pranuar ndonjë trajner i fuqishëm botëror një barazim ndaj Anglisë”, ka thënë Prekazi.
Kosova për ndeshjen kundër Anglisë do të paraqitet me shumë mungesa. Do t’i mungojnë shumë lojtarë që e kanë bartur barrën kryesore në pesë ndeshjet e kaluara të këtij cikli. Për të vazhduar shpresat për një kualifikim të mundshëm, Kosovës i duhet që ndaj anglezëve të nxjerrë një rezultat pozitiv.
“Atë që e kemi planifikuar për këtë cikël kualifikues, kemi qenë mirë. Ka ndikuar te ne kjo situatë sepse është gjendje e vështirë. Bartësit e ekipit na mungojnë shkaku i situatës me koronavirus. Jam munduar ta mbuloj boshllëkun e tyre po ashtu me lojtarë kualitativë. Ka lojtarë më shumë se çdoherë nga liga e Kosovës. Zgjidhje tjetër nuk kam pasur”, është shprehur Prekazi.
Kosova është përballur një herë me Anglinë, në stadiumin e Hull Cityt. Ndeshjen e humbi me rezultatin 2:0, por mori lëvdata nga anglezët për paraqitje të mirë.
Prekazi thekson se Anglia në Prishtinë ka ardhur me përbërje më të fortë sesa që e kishte në ndeshjen e parë të luajtur në Angli.
“Në bazë të informatave që i kam, Anglia ka ardhur shumë më e fortë se që ka qenë në Hull. Ajo është që ne kemi lënë përshtypje të mira. Unë pres nga lojtarët e rinj që i kam ftuar të dëshmojnë vlerat e tyre, në ndeshje të fortë çfarë është Anglia”, ka thënë Prekazi.
Për shkak të situatës me koronavirusin, Kosovës për ndeshjen kundër Anglisë do t’i mungojnë plot 15 lojtarë që ishin në ndeshjet e kaluara.
Por jo edhe Eris Abedini, që ka vendosur t’i bashkohet Kosovës, ani pse me t’u kthyer në Zvicër do të karantinohet për disa ditë. Situatë të njëjtë si të Abedinit do ta ketë edhe Kreshnik Hajrizi.
Për herë të parë te Shpresat e Kosovës janë ftuar më shumë futbollistë që luajnë për klubet e Kosovës, derisa të enjten janë grumbulluar edhe Qëndrim Zyba e Ardit Nika.
“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë nën drejtimin e trajnerit. E di që do të jemi në karantinim për dhjetë ditë kur të kthehem, por kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi do të ketë që të luajmë me zemër dhe ta japim maksimumin. E kemi përgatitur ndeshjen mirë. Do të luajmë si ekip në mbrojtje e sulm, për të marrë rezultat pozitiv”, ka thënë Abedini.
Kosova është në vendin e tretë në grupin C, ku bëjnë pjesë edhe Austria, Shqipëria, Andorra dhe Turqia. Në pesë ndeshje ka arritur dy fitore dhe tri humbje, derisa Anglia ka fituar të katër ndeshjet e saj.
Ndërkohë pas Kosovës, në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku të premten (sot) do të luhet ndeshja, ka stërvitur edhe përfaqësuesja U-21 e Anglisë.
Përzgjedhësi i anglezëve, Aidy Boothroyd ka thënë se Kosova i ka lënë përshtypje në ndeshjen e parë, derisa pret ndeshje të fortë edhe të premten në Prishtinë.
“Gjithçka është në rregull. Kemi bërë një stërvitje në fushë këtu në Kosovë. Duket mirë gjithçka. Kemi pasur pritje të ngrohtë ashtu edhe siç kemi pritur. I gjithë grupi është në formën më të mirë fizike dhe shpresojmë në paraqitje sa më të mirë të premten në mbrëmje. Do të jetë ndeshje e vështirë. Nga perspektiva e futbollit, Kosova do të jetë shumë e vështirë për t’u mundur. Është e fortë dhe shumë mirë e organizuar. Na mori shumë kohë derisa u shënuam gol në ndeshjen e parë. Duhet të jemi të përgatitur dhe të gatshëm për lojë”, ka thënë Boothroyd.