Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll do të jetë e kompletuar për ndeshjet eliminatore të raundit të parë, që i zhvillon muajin tjetër në kuadër të botërorit “Kina 2019”.
Kosova më 23 dhe 26 shkurt do t’i zhvillojë dy ndeshje në udhëtim, me Poloninë dhe Lituaninë në kuadër të Grupit C. Përgatitjet për këto dy ndeshje të rëndësishme, Kosova do t’i nisë më 19 shkurt, shkruan sot Koha Ditore.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) tashmë ka filluar të dërgojë ftesat për basketbollistët, në të cilët do të llogaritë përzgjedhësi Brad Greenberg.
Në listën aktuale gjenden 13 basketbollistë, kanë njoftuar burime brenda federatës, por listës mund t’i shtohet edhe qendra amerikane Shawn Jones, i cili pritet gjatë kësaj jave të raportojë për gjendjen shëndetësore të tij. Jones nuk iu bashkua Kosovës për dy ndeshjet eliminatore që i luajti muajin e shkuar me Lituaninë dhe Hungarinë për shkak të problemeve me gjunjët. Në këto ndeshje, Kosova nuk e pati as ndihmën e Erjon Kastratit, i cili një ditë para se të bashkohej me pjesën tjetër të ekipit u lëndua.