Ministri i Financave, Bedri Hamza, gjatë vizitës së tij në Luksemburg është pritur nga homologu i tij, Pierre Gramegna. Me këtë rast, dy ministrat nënshkruan Marrëveshjen për eliminimin e tatimit të dyfishtë ndërmjet dy shteteve.
Të dy ministrat u pajtuan se marrëveshja e nënshkruar sot ndihmon në investimet e përbashkëta në të dyja vendet, thuhet në një komunikatë të MF-së.
Ministri Bedri Hamza thuhet se ka vlerësuar lart bashkëpunimin e vazhdueshëm me Qeverinë e Luksemburgut dhe ka shprehu falënderimin për ndihmën e ofruar ndër vite për shtetin e Kosovës. “Falë kësaj ndihme kemi projekte të cilat kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve tanë dhe në zhvillimin ekonomike të vendit”.
Ai gjithashtu falënderoi shtetin e Luksemburgut për mbështetjen e ofruar për anëtarësimin e Kosovës në organizatat e ndryshme ndërkombëtare me theks të veçantë anëtarësimin në Organizatën Botërore të Doganës.
Ministri i Financave i Luksemburgut, Pierre Gramegna, ka thënë se nënshkrimi e marrëveshjes për eliminimin e tatimit të dyfishtë tregon se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë të shkëlqyeshme dhe të sinqerta.
“Gramegna gjithashtu shprehu gatishmërinë që ta ndihmojë Kosovën në çdo projekt i cili ndikon në ngritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës dhe në zhvillimin ekonomik”, thuhet në komunikatën e MF-së.
Gramenga e ka pranuar ftesën e ministrit Hamza për ta vizituar Kosovën në pjesën e parë të vitit 2018.