Kosova e nis me humbje edicionin e ri të Ligës së Kombeve

Prishtinë | 06 Sht 2024 | 22:43 | Nga Ekonomia Online

Kosova ka pësuar humbje me rezultat 3-0 ndaj Rumanisë në kuadër të ndeshjes së parë në Ligën e Kombeve.

Kishte shpresa të mëdha e në fund kishte vetëm dëshpërim të madh. 

Përfaqësuesja e Kosovës ka dështuar plotësisht në ndeshjen e parë të edicionit të ri në Ligën e Kombëve. 

Të premten mbrëma në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Kosova pësoi thellë, 3:0, nga Rumania. 

Ndeshja nisi mirë për “Dardanët” por përfundoi si më keq. Me tre gola të pësuar, një lojtar të përjashtuar dhe me veprime që pritet të dënohen nga UEFA.

Ndonëse stadiumi ishte i mbushur me shikues dhe përkrahja në fillim ishte e madhe, Kosova shfaqi fare pak në “Fadil Vokrri”.

Presionin fillestar, rumunët e “amortizuan” brenda dhjetë minutave. Më pas loja ishte e balancuar, kurse në minutën e 40-të rumunët shënuan për 1:0. Pas një gabimi të Elvis Rexhbeçajt, Dennis Man shënoi për epërsinë e rumunëve në moment shumë të rëndësishëm.

Entuziazmi te tifozët thuajse u zhduk menjëherë, ndërsa pjesa e dytë ishte prej më të dobëtave të Kosovës deri më tani.

Menjëherë në minutën e 51-të, Razvan Marin shënoi nga pika e bardhë për 2:0.

Valon Berisha bëri ndërhyrje të palejuar në Manin, ndërsa penalltia u dha vetëm pas rishikimit të situatës në VAR. Marin gjuajti fuqishëm e saktë për 2:0.

Kjo ishte goditja vendimtare në ndeshjen e Grupit 2 të Ligës C. Kosova më pas ishte thuajse jashtë lojës. Nuk shfaqi asgjë. Nuk kishte aksione e thuajse asnjë rrezik për portën rumune, njëjtë si në pjesën e parë.

Në minutën e 82-të, Denis Dragush shënoi golin e tretë për Rumaninë. Këtë herë gaboi Fidan Aliti.

Të ngjashme