Kosova do të përballet sot me Lituaninë, në një ndeshje miqësore në Prishtinë, pas një pauze gati katërmuajshe.
Dardanët janë nikoqirë të Lituanisë në stadiumin “Fadil Vokrri në orën 20:45, në atë që shihet si një mundësi shumë e mirë për trajnerin e Kosovës Bernard Challandes për të parë se ku qëndron ekipi i tij para ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës këtë muaj, raporton Gazeta Express.
Verdhekaltrit u grumbulluan të hënën në kryeqytet, për herë të parë që prej nëntorit kur e mbyllën një fushatë zhgënjyese në vendin e parafundit në grup në Ligën e Kombeve.
Por për dallim nga atëherë kur skuadra ishte e përgjysmuar shkaku i mungesës së lojtarëve kyçë, këtë herë Challandes i ka në dispozicion të gjithë lojtarët e tij më të mirë.
Trajneri zviceran nuk ka pasur kohë ta stërvitë ekipin mjaftueshëm para këtij takimi miqësor, megjithatë, për shkak se bora e dendur e bëri ta pamundur përdorimin e fushës në “Fadil Vokrri”.
Kapiteni Amir Rrahmani i lënduar dhe portieri i parë Aro Muric, i përjashtuar nga Kombëtarja mungesë disipline, do të mungojë sigurt në këtë takim.
Katër ditë pas kësaj ndeshjeje, Kosova do ta nisë fushatën e dytë kualifikuese për Kupën e Botës në historinë e kombëtares.
Verdhekaltrit do të jenë nikoqir të Suedisë së Zlatan Ibrahimovicit të dielën më 28 mars në Prishtinë, në ndeshjen hapëse kualifikueset e Botërorit Katari 2022.
Tri ditë më vonë, Kosova do të udhëtojë drejt Sevillës për t’u përballur me Spanjën.
Përveç Spanjës dhe Suedisë, Kosova është në grup edhe me Gjeorgjinë dhe Greqinë.