Qeveria e Kosovës dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë nënshkruar marrëveshje mbi masat e sigurisë me qëllim të mbrojtjes së informacionit të klasifikuar, raporton Ekonomia Online.
Marrëveshja u nënshkrua nga ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier dhe kryeministri Albin Kurti. Ambasadori Hovenier e quajti shumë të rëndësishme këtë marrëveshje duke shtuar se ajo ndërton bazën e shpërndarjes së informacionit të klasifikuar në botën e shekullit të 21-të.
Madje tha se marrëveshja tregon përkushtimin ShBA-së për bashkëpunim në fushën e sigurisë me Kosovën. Sipas tij, kjo marrëveshje e avancon aftësinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial përmes ndarjes së informacioneve me ShBA-në.
“Kryeministër Kurti, ministër i Mbrojtjes Maqedonci, dhe të ftuar të veçantë, është një nder të jem sot me ju, dhe të shënojmë një hap të madh midis ShBA-së dhe Kosovës me nënshkrimin e kryeministrin Kurtit dhe timit të kësaj marrëveshjeje që ka të bëjë me masat e sigurisë për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Kjo marrëveshje ndërton bazën e shpërndarjes së informacionit të klasifikuar në botën e shekullit të 21-të. Aftësia e partnerëve për të shpërndarë informacion shpejtë dhe me efikasitet është vitale për vendimmarrjen e informuar e me kohë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në sferat e sigurisë e të mbrojtjes”.
“Konkludoj se kjo marrëveshje është e rëndësishme jo vetëm si kulmim i një koordinimi dy vjeçar, por gjithashtu përfaqëson përkushtimin e fortë të ShBA-së për bashkëpunim në fushën e sigurisë me Kosovën. Përmes kësaj marrëveshjeje vendet tona kanë marrë përsipër obligime për të mbrojtur informacionet e klasifikuara të njëra tjetrës, duke i hapur dyert për të bartur këto informacione. Kjo marrëveshje e avancon aftësinë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e vet territorial përmes ndarjes së informacioneve me ShBA-në. Dhe përsëri dua ta bëjë të qartë se ne mbetemi të palëkundur ndaj sovranitetit të Kosovës dhe integritetit të saj territorial”.
Ambasadori shtoi se shteti i tij synon forcimin e FSK-së dhe duan që forcën ta sheh pjesë të NATO-s. Hovenier shtoi se rëndësie e kësaj marrëveshje rritet edhe kur në Ukrainë po vazhdon agresionin brutal i Vladimit Putinit, raporton EO.
“Gjithashtu kjo marrëveshje promovon edhe qëllimin tonë të përbashkët që është zhvillimi i suksesshëm i Forcës së Sigurisë në forcë mbrojtëse multi-etnike territoriale e NATO-s dhe kjo marrëveshje e promovon qëllimin tonë që ta shohim Kosovën të integruar plotësisht në strukturat euro-atlantike. Është një qasje e tërë qeverisëse e operimit regjional mes dy vendeve tona gjithashtu. Sot, gjersa shënojmë ditën ndërkombëtare të Ukrainës kjo marrëveshje është edhe më e rëndësishme për sa kohë agresioni brutal i Putinit kundër Ukrainës vazhdon”.
“Thënë më shkurt, kjo marrëveshje reflekton dedikimin për qëllimet tona të përbashkëta, vlerat që ne ndajmë dhe një të ardhme që është më e sigurt për të dy vendet tona dhe e shtron rrugën për shkëmbim të informacionit në të ardhmen dhe marrëveshjeve që kanë të bëjnë me komunikimin. Do të doja që të shpreh mirënjohjen time ndaj atyre që kanë punuar në mënyrë të palodhur për të ndërtuar këtë marrëveshje. Do doja të theksoja veçanërisht dy, Ekrem Ademi nga Ministria e Mbrojtjes, dhe Zana Tropoja prej Ambasadës së ShBA-së, pa ta kjo nuk do arrihej, dhe dedikimi e këmbëngulja juaj i ka sjellë shtetet tona edhe më pranë njëra-tjetrës”.
Me këtë rast kryeministri Kurti tha se marrëveshja parasheh veprimet e të dy palëve në raport me informacionin e humbur, mënyrën e asgjësimit të informacionit të klasifikuar, e ndarjes së tij në raport me palët e autorizuara.
“Koncepti i sigurisë kombëtare është udhërrëfyes i qeverisjes së përgjithshme. Qeveria e ka për detyrë të sigurohet që qytetarët janë të mbrojtur, dhe një gjë e tillë e bën përmes veprimeve të mençura politike, ekonomike, diplomatike e ushtarake”.
“Siguria kombëtare është e drejtë dhe nevoje. Ajo përkthehet në vullnetin dhe obligimin e Qeverisë te merr vendime me të cilat garanton pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit, detyrë kjo e cila kërkon jo rrallë ruajtjen e informacionit si konfidencial”.
“Mbrojta e atillë e informacionit parashihet me ligi dhe siguron mbrojtje përderisa interesi kombëtar dikton një gjë të tillë. Prandaj sot, se bashku me ambasadorin Hovenier u dakorduam që informacioni i kategorizuar si i tillë do ruhet ashtu siç e parasheh legjislacioni nacional dhe nuk do zbulohet përveç ndaj atyre që posedon certifikatë të sigurisë, pa marrë parasysh pozitën apo titullin që personi i interesuar në informacion të klasifikuar gëzon”, tha Kurti.