Kosova e Shqipëria mund të bashkohen me ekonomi

Prishtinë | 19 Dhj 2016 | 10:34 | Nga

Biznesmenë dhe njohës të çështjeve ekonomike kanë kërkuar që urgjentisht të bëhet unifikimi i sistemit fiskal dhe doganor në mes të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë pasi, sipas tyre, kjo është më së e domosdoshme në mënyrë që bashkëpunimi ekonomik, në mes të dyja vendeve, të jetë në nivelin e duhur.

Ata janë shprehur se ka ardhur koha që vakuumin e bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri mos ta plotësojë ekonomia e Serbisë. Sipas tyre, nëse kufijtë e Kosovës me Shqipërinë s’mund të bashkohen, meqë ka pengesa nga faktori ndërkombëtar, atëherë një bashkim i tillë mund të ndodhë me shkëmbimet ekonomike në mes të dyja vendeve.

Ata janë shprehur se, nëse nuk do të unifikohet sistemi fiskal dhe ai doganor, çfarë ndodh zakonisht brenda një shteti, atëherë mallrat e Kosovës dhe të Shqipërisë do të mbesin nën hijen e mallrave të Serbisë. Afaristët dhe njohësit e çështjeve ekonomike kanë apeluar të lihen anash paraqitjet spektakolare dhe formale, por të veprohet në çështje konkrete të bashkëpunimit ekonomik.

Bashkëpunimi ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë mbetet dukshëm më i ulët karshi hapësirës që zë bashkëpunimi ekonomik me shtetin e Serbisë.

Sipas raportit për muajin tetor 2016 të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksportet nga Kosova në Serbi përbëjnë shifrën e 22 për qind, karshi Shqipërisë që ishte vetëm 12.9 për qind.

Po ashtu, edhe për importet bashkëpunimi më i thellë shihet me shtetin e Serbisë sesa me Shqipërinë, pasi shkalla e importit me nga Serbia ishte 14.2 për qind, kurse nga Shqipëria vetëm 4.3 për qind. (Epoka e Re)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme