Kosova ende është opsion për top-sulmuesin e Baselit

Prishtinë | 04 Tet 2019 | 10:11 | Nga Ekonomia Online

Në fundjavë Kemal Ademi u aktivizua vetëm në minutën e 87-të për Baselin, në ndeshjen e Superligës së Zvicrës ndaj Luzernit. Por sulmuesi shtatlartë ia doli të realizonte gol në minutën e 91-të për të vazhduar startin perfekt te klubi i madh zviceran. Ademi ka shënuar gjashtë gola në gjashtë ndeshje kampionale për Baselin, ndonëse aktualisht nuk është zgjedhja e parë për sulmin.

Por Ademi vetë duhet të bëjë një zgjedhje së pari. Duhet të vendosë se për cilën përfaqësuese do të luajë. Futbollisti me prejardhje nga Kosova, që ka lindur në Gjermani e që ka shtetësi të Zvicrës, nuk ka luajtur deri më tani për ndonjë përfaqësuese. Nuk është paraqitur në nivel sendor, por as në kategori të reja. Kështu që ai e ka të hapur opsionin që të vendosë për Kosovën. Federata e Futbollit e Kosovës ka kohë që ka vënë kontaktin me Ademin dhe me përfaqësuesit e tij, shkruan sot Koha Ditore.

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, së shpejti pritet të publikojë listën për ndeshjet me Gjibraltarin dhe Malin e Zi, ndërsa Ademi nuk do të jetë pjesë e saj. Nuk pritet të jetë as në listën e Zvicrës apo të Shqipërisë për ndeshjet e këtij muaji. Janë këto tri ekipet përfaqësuese që i ka në opsion Ademi. Kështu të paktën kanë thënë të enjten mbrëma nga kompania që menaxhon karrierën e 23-vjeçarit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme