Njëmbëdhjetë vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nuk ka unifikuar targat e automjeteve. Përveç targave “RKS”, në vend, legalisht përdoren edhe ato “KS”, të cilat përdoreshin para shpalljes së pavarësisë. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se janë mijëra vetura me targa “KS” dhe se nëse nuk merret një vendim ndryshe, targat “KS” do të vazhdojnë të jenë në qarkullim.
Mentor Veseli, për katër vite, veturën e tij e drejtoi më targat e Republikës së Kosovës – RKS, por telashet që po shkaktohen në kufirin me Serbinë, bën që ai përsëri të pajiset me targat e mëhershme “KS”, të cilat ndryshe nga ato “RKS”, janë të pranueshme nga Serbia.
“Me herët i kam pasur RKS, por qe tri vjet i kam heq. I kam vendos KS. Më bie të udhëtoj prej Kosovës nëpër Serbi, për të kryer punë në shtete të tjera, po duhet t’i heq targat. Po, është e mundimshme kjo far puna, hiq e vendos targat provë. Edhe i kam vendos targat KS”, tha Veseli.
Megjithëse Kosova dhe Serbia, janë pajtuar në Bruksel për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa të dy shteteve, kosovarët që shkojnë apo kalojnë transit nëpër Serbi, janë të detyruar të mbulojnë targat “RKS” dhe të pajisen me targa “prova”.
Kjo, ka bërë që shumë kosovarë të heqin targat “RKS” dhe të pajisen përsëri me ato “KS”. Ariana Podrimaj, nga Zyra për informim në Ministrisë e Punëve të Brendshme, i tha Radio Kosovës se vetëm këtë vit, me targa “KS” janë pajisur rreth 5 mijë vetura.
“Bazuar në sistemin elektronik të regjistrimit të automjeteve, numri total i automjeteve aktive me targa “KS” është 41 mijë e 421. Të regjistruara me “KS” nga janari deri më tani janë 4 mijë e 746 automjete. Mjetet me traga “KS” regjistrohen sipas marrëveshjes së Brukselit për lëvizje të lirë”, tha ajo.
Podrimaj tha se automjetet me targa “KS” regjistrohen në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për lëvizje të lirë dhe se do të jenë legale deri në një vendim tjetër. Disa herë është përfolur mundësia e vendosjes së reciprocitetit me Serbinë, por kjo nuk ka ndodhur. Radio Kosova ka pyetur Lëvizjen Vetëvendosje, se pas formimit eventual të qeverisë Kurti, a do të vendosin reciprocitet për fqinjin verior, por, për këtë nuk ka marrë një përgjigje.