Dialogu Kosovë–Serbi ka stagnuar. Presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq nuk janë takuar qe një kohë zyrtarisht në Bruksel.
Dialogu u pezullua pasi Qeveria vendosi taksën prej 100% ndaj produkteve që vijnë nga Serbia e Bosnja. Të enjten janë bërë tre muaj prejse Qeveria ka marrë këtë vendim.ShBA-ja si edhe BE-ja kanë kërkuar nga Kosova heqjen e taksës.
Analistja Besa Luzha në një intervistë për Ekonomia Online, sugjeron që për një kohë taksa të tërhiqet dhe të shihet serioziteti i palëve të përfshira për vazhdim të dialogut.
“Në këtë kohë ku vërtet presioni po duket që është shumë i madh, i kisha dhënë shans një takimi për dialog dhe një suspendimi të përkohshëm të taksës për me pa a janë seriozë të gjithë partnerët në mënyrën se si do të vazhdojë dialogu”.
“Sepse kemi pa që edhe Serbisë iu janë dhënë vërejtjet kryesore që pa marrëveshje, pa sjellje konform dy bashkëbiseduesve që duhet me i përmirësua marrëdhëniet, nuk do të mund me proceduar më tutje në BE”.
Të habitshëm e ka quajtur reagimin e ndërkombëtarëve për heqje të taksës, pasi tha se si shtet sovran, Kosova ka të drejtë të marrë çfarëdo veprime.
“Presioni është i pandalshëm dhe unë nuk e kuptoj pse është ai presion, sepse ky është shtet sovran, vendos çka do me bë me prodhimin e vet, qysh me i mbrojt prodhuesit e vet, është e drejtë sovrane që nuk mundet me ia kushtëzuar”.
Luzha tha se një marrëveshje përfundimtare mes Prishtinës dhe Beogradit është përpjekje që t’i tregojë Serbisë se nuk mund ta pengojë formësimin e shtetësisë së Kosovës.
Sipas saj, ekzistojnë dy agjenda për dialog me Serbinë, ekipi negociator me platformën dhe ajo e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh.
“Besoj që ato esencialet janë, që nuk diskutohet për kufij, nuk diskutohet për sovranitet, bisedat duhet të jenë mes dy shteteve që synojnë përmirësimin e marrëdhënieve, bashkëpunimin rajonal dhe evropian dhe aty është korniza e duhur, vetëm duhet me pasë vullnet të dy palët për me biseduar për gjërat, gjithmonë duke shikuar përpara se si përmirësohen raportet”.
“Nëse shkohet kështu ka shpresë. Nëse paralel kësaj vazhdohet me një agjendë krejtësisht paralele të presidentit Thaçi dhe bashkëmendimtarëve të tij për korrigjim kufijsh etj, atëherë kjo do të jetë shumë situatë e rrezikshme për Kosovën dhe po e shohim që të gjitha përpjekjet janë me një anë që mos të lejohet ajo. Jemi mes këtyre dy opsioneve, të shohim kush ka me e shty agjendën më përpara”.