Kosova fiton në arbitrazh rastin “Dardafon”, shpëtohen 45 milionë euro

Prishtinë | 06 Pri 2023 | 21:49 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të enjten se nëpërmjet Avokaturës Shtetërore, ministria e Drejtësisë ka fituar në arbitrazhin ndërkombëtar ndaj kompanisë “Devolli Corporation” në rastin e “Dardafonetit”.

“Ministria e Drejtësisë, përmes Avokaturës Shtetërore së bashku me ekipin mbrojtës të Squire Patton Boggs kanë arritur fitoren e radhës për Kosovën në arbitrazhin ndërkombëtar, duke mposhtur pretendimet e Blerim Devollit kundër Republikës së Kosovës”, shkroi Kurti.

“Dardafon.net L.L.C” pronë e biznesmenit Blerim Devolli, në muajin mars të vitit 2020, e kishte paditur Qeverinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për rastin e mosvazhdimit të kontratës në mes të Telekomit dhe kompanisë së tyre. Devolli ka kërkuar dëmshpërblim nga shteti 45 milionë euro.

“Pak ditë më parë, Tribunali ndërkombëtar i Arbitrazhit ka lëshuar vendim duke hedhur poshtë në tërësi pretendimet e z. Devolli dhe duke urdhëruar këtë të fundit t’ia paguajë Republikës së Kosovës mbi 1.3 milion euro në emër të shpenzimeve të procedurës”, shtoi Kurti.

Të ngjashme