Kosova gati për t’u njohur me talentet e reja në matematikë, Kurti tregon datën e fillimit të Olimpiadës Matematike Evropiane për vajza

Prishtinë | 10 Mar 2024 | 12:11 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se viti 2025, do të jetë viti i matematikës në Kosovë.

Kurti në një postim në Facebook, ka shkruar se nga 11 deri më 17 prill 2025, do të mbahet Olimpiada e Matematikës Evropiane për Vajza – EGMO 2025.

“EGMO është gara më prestigjioze ndërkombëtare e matematikës për vajza që ka për qëllim t’i inkurajojë vajzat që të merren me matematikën dhe zbatimin e saj. Gara zhvillohet çdo vit në një vend të ndryshëm të Evropës me pjesëmarrje të rreth 60 shteteve, duke i përfshirë edhe shtetet jo-evropiane që marrin pjesë si mysafirë”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri ka falënderuar komunitetin e matematikanëve shqiptarë, Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës dhe të gjitha organizatat e tjera për angazhimin e tyre të pandërprerë në promovimin dhe avancimin e matematikës në Kosovë.

“EGMO 2025 do të organizohet me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, komunitetit të matematikanëve shqiptarë, Shoqatës Matematikanëve të Kosovës dhe organizatave e donatorëve të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë”, ka shkruar Kurti.

Të ngjashme