Politika sërish ka dominuar mbi sportin. Me gjithë presionin e bërë, Qeveria e Spanjës ka refuzuar të lejojë karateistët kosovarë që të garojnë me simbole të vendit në kampionatin botëror të karatesë, që të martën nisi në Madrid, shkruan sot Koha Ditore.
Qeveria e Spanjës ka ndaluar po ashtu që flamuri i Kosovës të shfaqet në sallën ku po mbahen garat e ngjarjes kryesore të vitit në karate, ndërsa nuk është lejuar as që në shpinë të garuesve të Kosovës të jetë shkurtesa e emrit të vendit, KOS, si te garuesit e tjerë. Në vend të shkurtesës për emrin e Kosovës, garuesit kanë pasur akronimin për Federatën Botërore të Karatesë, WKF.
Nuk ka pasur ndonjë reagim në vend për padrejtësinë e radhës që u është bërë sportistëve kosovarë.
Federata e Karatesë e Kosovës ka zgjedhur heshtjen, ndërsa për trajtimin jo të barabartë është deklaruar vetëm pas kërkesës së gazetës.
Edhe Komiteti Olimpik i Kosovës ka zgjedhur të mos jap ndonjë deklaratë publike, ndonëse gazeta ka mësuar që ka pasur korrespodencë mes KOK-ut dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për telashet e sportistëve kosovarë në Madrid.