“Kosova nuk ishte përfshirë në fazën pilot të këtij projekti për shkak të statusit. Megjithatë, pas konsultimeve me Komisionin Evropian dhe pjesëmarrësit tjerë të rëndësishëm, u vendos që të hapet faza e dytë e kësaj nisme edhe për Kosovën si kandidat potencial për anëtarësim”, kanë thënë nga ky institucion në përgjigjen për Kohën.
Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) është bërë institucioni i parë i BE-së i cili ka vendosur të pranojë anëtarë nga Kosova pasi para më shumë se një viti kishte pranuar anëtarë nga të gjitha vendet kandidate. Ky institucion këshillëdhënës në strukturat e Bashkimit Evropian do të ketë në përbërjen e tij edhe përfaqësues nga Kosova, të cilët do të përzgjidhen përmes procedurës që është në vazhdim e sipër. Në këtë Komitet marrin pjesë përfaqësues nga shoqëria civile, nga organizatat ekonomike, nga sindikatat dhe partnerët tjerë socialë dhe ekonomikë.
Tashmë EESC ka bërë publike shpalljen për kandidatë nga Kosova të cilët mund të paraqiten deri më datën 24 tetor. Kur të zgjedhën, ata do të marrin pjesë në punimet e këtij Komiteti në mënyrë të barabartë, sikur të gjithë pjesëmarrësit nga vendet tjera kandidate dhe nga vendet anëtare, pos që nuk do të kenë të drejtë të votojnë. E drejta për të votuar mbetet e rezervuar vetëm për anëtarët nga shtetet anëtare të BE-së.
Kur në këtë Komitet në pranverën e vitit 2024 ishin pranuar të gjitha vendet kandidate por jo edhe Kosova, kryetari i këtij Komiteti Olive Ropke i kishte thënë Kohës se “Kosova nuk mund të përfshihet për arsye formale, sepse nuk e ka formalisht statusin e kandidatit”. Në fakt Kosova akoma mbetet i vetmi shtet evropian i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE por nuk është shqyrtuar kërkesa e saj.
Përkundër kësaj, Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian ka gjetur mënyrën për të tejkaluar pengesën formale dhe për ta përfshirë edhe Kosovën në këtë nismë.