Kosova jep mesazh negativ për investitorët e huaj nëse ndërpritet marrëveshja për “Kosovën e Re”

Prishtinë | 02 Mar 2020 | 10:02 | Nga Ekonomia Online

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se qeveria e re së bashku me Kuvendin duhet ta ndjekin një agjendë dinamike të zhvillimit ekonomik, e cila do ta mundësojë fuqizimin e sektorit privat, tërheqjen e investimeve të huaja direkte, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Duke folur për taksën 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës, ai ka theksuar se Kosova duhet të veprojë në uniformitet sa i përket kësaj çështje. “Për shkak se tarifa është në kundërshtim me zotimet që Kosova ka dhënë me nënshkrimin e marrëveshjeve për tregti të lirë si dhe me ambiciet për integrim në Bashkimin Evropian, por edhe për shkak se është kërkuar në vazhdimësi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Zeka në intervistën dhënë për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka pohuar se Oda Ekonomike Amerikane mbështet projektin e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” për shkak të nevojës për kapacitete të reja energjetike për t’i plotësuar kërkesat për energji elektrike.

Ai shpreson që marrëveshja me “Contour Global” nuk do të ndërpritet. “Shpresoj se marrëveshja nuk do të ndërpritet, meqë do të humbeshin kot shumë vite të kaluara për këtë proces, por edhe për shkak se kjo do të përçonte mesazh të keq për investitorët e tjerë të huaj. Dhe krejt në fund, edhe për shkak se investitori është një kompani amerikane”, është shprehur Zeka.

Në këtë intervistë Zeka ka folur edhe për sfidat e të bërit biznes në Kosovë.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme