Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka shpallur rezultatet e para përfundimtare nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë (ReKos 2024), raporton Ekonomia Online.
Kryeministri Albin Kurti tha se këto të dhëna janë thelbësore për të gjitha aspektet e planifikimit dhe se përfaqësojnë bazën për të hartuar politika të cilat adresojnë nevojat reale të qytetarëve.
Ai ka theksuar se regjistrim forcon pozitën e vendit në arenën ndërkombëtare dhe shënon një përparim të madh.
Kurti ka ftuar të gjithë institucionet dhe akteret e tjerë që të shfrytëzojnë këto të dhëna për një Kosovë të drejtë e më të zhvilluar.
“Sot është një ditë e rëndësishme për Kosovën pasi do të prezantohen rezultatet e para përfundimtare nga regjistrimi i popullsisë ekonomive familjar e banesave në Kosovë. Publikimi në një kohë krejtësisht rekorde, përben një komponent shtesë pasi që statistikat cilësore marrin kohë e statistikat në kohë janë me vlerë. Regjistrimi është më shumë se mbledhje e statistikave është pasqyrë e atyre ku jemi sa jemi dhe si mund të ecim përpara. Janë thelbësore për gjitha aspektet e planifikimit. Përfaqësojnë bazën për të hartuar politika të cilat adresojnë nevojat reale të qytetarëve. Ky regjistrim forcon pozitën tonë në arenën ndërkombëtare, shënon një përparim të madh për Kosovën”, ka thënë Kurti.
Eksperti ndërkombëtar Eduardo Jongstra, ka thënë se janë të impresionuar nga aftësitë, puna dhe përdorimi i teknologjisë që është përdorur nga ASK-ja në këtë proces.
“E së pari do të doja të them se jam impresionuar shumë nga aftësitë e stafit të ASK-së. Ky ishte në shumë aspekte e veçanërisht se si u përdor teknologia në formën e tabletës, në çdo kohë menaxhmenti ishte në gjendje të shoh statusin e punës. U impresionova nga uniteti dhe solidariteti që u pa nga operatoret, mbikëqyrësit dhe intervistuesit. Gjithashtu dëshiroj të shprehi të njëjta përshtypje në lidhje me atë se si ishte diversiteti”, ka thënë ai.