Ekipi i juniorëve (U21) të Kosovës në hendboll synon befasinë qysh në ndeshjen e parë të kampionatit botëror, që nis të martën (sot) në Spanjë.
Kosova të hënën është vendosur në Vigo dhe në mbrëmje ka mbajtur një stërvitje përpara duelit me Kroacinë, që zhvillohet të martën (sot) prej orës 17:00 dhe i takon Grupit C.
Te Kosova besojnë se mund ta befasojnë Kroacinë, ekip që, sipas trajnerit Fatmir Muhaxheri, nuk është edhe aq cilësor. Për ekipin U-21 të hendbollit kjo është hera e parë që do të paraqitet në një botëror. Në fakt, ky është debutim i një përfaqësueseje të të gjitha sporteve ekipore të Kosovës në botëror, shkruan sot Koha Ditore.
Hendbollistët e rinj të Kosovës janë përgatitur për një muaj për këtë ngjarje të rëndësishme. Kualifikimin e kanë siguruar në muajin prill pas triumfit në “IHF Trophy Intercontinental” dhe tash synojnë të shfrytëzojnë këtë moment të artë.