Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka kërkuar sot nga NATO, SHBA dhe BE që të ndërmarrin veprime pas arrestimit të gazetarit Roman Protasevich nga autoritetet bjelloruse.
Në një postim në Twitter thuhet kreu i shtetit rus Vladimir Putini po bëhet çdoherë e më shumë agresiv ndaj vendeve perëndimore.
“Putini po bëhet më agresiv, duke shfrytëzuar dobësimin e Perëndimit. Pa aprovimin e Putinit, nuk do të kishte sulme të Bjellorusisë ndaj aeroplanit. (Pa Putinin), s’do të kishte kërcënime nga Vuçiq e as 30 tanke të reja për Serbinë. NATO, SHBA dhe BE duhet të ndërmarrin veprime që të mbrojnë miqtë e tyre. Kosova është gati”, thuhet në postimin e MPJ-së.
Ndryshe, gazetari bjellorus Roman Protasevich u arrestua dje nga autoritetet e Bjellorusisë, pasi një aeroplan që po vinte nga Athina, e cila po barte në mesin e pasagjerëve edhe Protasevich, u detyrua nga autoritetet bjelloruse që të aterronte në territorin e tyre, në mënyrë që më pas ai të arrestohej.
Vetëm 26 vjeç, Protasevich është një nga gjeneratat e reja të aktivistëve politikë bjellorusë, i cili u “katapultua” në sy për shkak të rritjes së opozitës publike ndaj sundimit të gjatë dhe shtypës të presidentit Alexander Lukashenko.
Protasevich, i cili lindi pasi Lukashenko mori detyrën në vitin 1994, ishte i përfshirë në demonstrata kundër regjimit si adoleshent dhe më vonë u përjashtua nga programi i gazetarisë në Universitetin Shtetëror bjellorus. Ai ishte gjithnjë në vijat e para të protestave, sipas kolegëve aktivistë.