Shorti i eliminimit dhe play-off-it të Ligës së Kombeve 24/25 është hedhur sot, duke u përcaktuar çiftet për fazën e ardhshme.
Kosovën, shorti e caktoi të përballet me Islandën.
Ndeshja e parë do të zhvillohet në Prishtinë më 20 mars 2025, ndërsa ndeshja kthyese do të zhvillohet në Reykjavik më 23 mars 2025.
Por, Kosova me Islandën është përballur dhe në të kaluarën.
Ishte viti 2016 kur Kosova mori pjesë për herë të parë në një garë zyrtare futbolli për kualifikim për në Botërorin 2018 pas anëtarësimit në FIFA dhe UEFA, anëtarësim që ndodhi po në atë vit.
Kosova ishte në grup me skuadra të forta, si Kroacia, Turqia, Ukraina, por edhe me Islandën e Finlandën.
Djemtë tanë, që në atë kohë drejtoheshin nga Albert Bunjaku, dhe ndeshjet si vendës i zhvillonin në Shqipëri, nxorën vetëm një pikë në 10 përballjet me “gjigandët”.
Si u nda Kosova me Islandën në dy ndeshjet?
Me Islandën, Kosova pësoi dy herë.
Në ndeshjen e parë si vendës në “Loro Boriçi” në Shkodër, pësoi 2-1.
E kur “Dardanët” u shkuan në konak islandezëve, u mposhtën pastër 2-0.
Nga ajo kohë e deri më sot, skuadra e Kosovës është përmirësuar dukshëm.
Në tetë ndeshjet e fundit, Kosova ka 4 fitore (vs Lituanisë (2x), Qipro (2x)), 3 humbje (vs Rumanisë (2x), Bjellorusisë (1x) e një barazim (vs Zvicër), për dallim nga viti 2016 kur nga 10 ndeshje pati 9 humbje e vetëm një barazim (vs Finlandë).
E edhe Islanda nuk është më ajo e “moçmja”.
Nga tetë ndeshjet e fundit garuese ka tre fitore (vs Malit të Zi (2x), Izraelit (1x)), katër humbje (vs Uellsit (1x), Turqisë (2x), Ukrainës(1x)) e 1 barazim (vs Uells), për dallim nga viti 2016 kur regjistronte 7 fitore, 2 humbje e një barazim në kualifikimet për Botëror.