Ditëve të fundit është rritur numri i rasteve të falsifikimit të parave, ku vetëm për periudhën janar – maj, në Polici janë raportuar 353 raste.
Në një përgjigje me shkrim nga Policia e Kosovës për Gazetën Express, thuhet se ka pasur rritje të këtyre rasteve nga viti 2020 në vitin 2021.
Gjatë vitit 2020, në Polici janë raportuar 498 raste të falsifikimit të parasë, ndërsa gjatë 2021-ës 866 raste.
Një rast i falsifikimit është raportuar edhe në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Sipas këtij raporti, rasti ka ndodhur dje në Fushë Kosovë, ku punëtorja e një banke ka njoftuar se gjatë kontrollit të parave të deponuara, ka hasur në një kartmonedhë 50 euroshe, e cila dyshohet se është e falsifikuar.
Policia ka njoftuar se monedha është konfiskuar nga forenzika.
Çka parasheh Kodi penal për veprën penale “Falsifikimi i parasë”?
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me 1 deri 10 vjet burgim.
Ndërkaq, kushdo që duke ditur se paraja është e falsifikuar merr, vë në qarkullim, transporton, pranon, përdorë ose posedon paranë e falsifikuar me qëllim që ta vë në qarkullim si të vërtetë, dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Çdo person që pranon paranë e falsifikuar prej pesëdhjetë euro ose më pak duke besuar se është e vërtetë dhe pastaj e përdorë duke ditur se është e falsifikuar, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.
Poashtu, kushdo që ka dijeni për prodhimin apo përdorimin e parave të falsifikuara dhe këtë nuk e raporton, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.
Ndërsa, kur shuma e parave të falsifikuara e tejkalon vlerën prej 100 mijë euro, kryesi dënohet me jo më pak se tre vjet burgim.
Në Kod Penal thuhet se paraja e falsifikuar dhe pajisjet për prodhimin apo ndryshimin e saj konfiskohen. /GazetaExpress/