Futbollistë që kanë të paktën nga një paraqitje për përfaqësuese do të vrapojnë të hënën mbrëma në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kur Kosova nis përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të eliminatoreve për “Euro 2020”.
Njëmbëdhjetë prej tyre do të dalin në fushën e stadiumit në Prishtinë edhe më 17 nëntor për ndeshjen ndaj Anglisë, që shpresohet se do të vendosë për kualifikimin e “dardanëve” në Evropianin e vitit tjetër. Që ndeshja me anglezët të ketë peshë, Kosova duhet të shmangë fillimisht disfatën më 14 nëntor në Plzen, ku takohet me Çekinë. Në fakt, ndaj Çekisë synohet fitorja për ta kaluar këtë përfaqësuese në tabelë dhe që për ndeshjen me Anglinë, përfaqësuesja të jetë në situatë të favorshme, shkruan sot Koha Ditore.
Përzgjedhësi Bernard Challandes në dy ndeshjet vendimtare do t’iu besojë lojtarëve të konfirmuar, atyre që e kanë sjellë Kosovën në këtë pikë të lartë – që në tentimin e parë të ketë në dorë të saj fatin e kualifikimit në Evropian. Zvicerani me përvojë nuk ka ftuar ndonjë emër të ri në përfaqësuese dhe as që pritet të bëjë shumë ndryshime në formacion. Madje, ka gjasë të mos e bëjë asnjë në krahasim me ndeshjen e kaluar. Challandes të premten ka publikuar listën me emrat e lojtarëve të ftuar për dy ndeshjet e fundit të këtij cikli. Ka ftuar 24 futbollistë, ndonjë prej tyre, si Milot Rashica në formë të lartë e plot të tjerë që po vuajnë për minuta në skuadrat ku bëjnë karrierë.