Rezultatet e mëdha të Kosovës në dy vjetët e fundit vlerësohet se e kanë rritur shumë profilin e përfaqësueses së futbollit. Kosova e ka në dorë mundësinë e kualifikimit në “Euro 2020”, ndërsa lojtarët e saj po luajnë në nivele gjithnjë e më të larta. Rezultatet e Kosovës po bëjnë bujë, ndërkohë që përkrahja e shikuesve vlerësohet e jashtëzakonshme.
Në këtë situatë të favorshme edhe lojtarë që kanë hezituar për kohë të gjatë të veshin fanellën e Kosovës, tashmë janë pjesë e “dardanëve”, për shembull Florent Hadërgjonaj e Florent Muslija që janë në përfaqësuesen A dhe Arton Zekaj që është tek U-21, shkruan sot Koha Ditore.
Por megjithatë ka ende lojtarë që hezitojnë të luajnë për Kosovën apo që Kosovën ende nuk e kanë zgjedhje të parë. Bëhet fjalë për lojtarë të rritur në vende evropiane, që ende shpresojnë të bëhen pjesë e përfaqësueseve të vendeve ku janë rritur.
Një prej tyre është Kemal Ademi. Shtatlarti 23-vjeçar ka shënuar gjashtë gola në shtatë paraqitje kampionale për Baselin në Superligën e Zvicrës këtë edicion. I ka edhe dy gola në gara të tjera, ndërsa gjithsej ka 12 paraqitje këtë edicion. Burime të gazetës kanë bërë të ditur se FFK-ja muaj më parë ka vënë kontaktin me Ademin dhe pritej vetëm zyrtarizimi i tij si anëtar i ri i Kosovës. Ai vlerësohet se do të bëhej menjëherë sulmuesi i dytë i Kosovës, pas Vedat Muriqit dhe kështu do të rrezikonte seriozisht vendin e Atdhe Nuhiut në përfaqësuese.