Në këtë punën e dinarit po më vjen keq që BQK-ja po politizohet. Ky institucion ishte dashur aktualisht të fokusohet se si të ulen normat e interesit të kredive për bizneset dhe fermerët e Kosovës, pasi që inflacioni është stabilizuar rreth 2% muajt e fundit.
Kjo do të ndihmonte vendin të rigjenerohet ekonomikisht dhe të fillojmë një cikël të ri pozitiv të ekonomisë e biznesit. E tash ne, si shoqëri dhe rajon i politizuar skajshmërisht, po politizojmë gjithçka rreth nesh, edhe BQK në këtë rast.
Më vjen mirë që Kosova është bërë më fleksibile dhe procesi i zbatimit po zgjatet në tre muaj. Por, pse u nevojit që Serbia të përdorë gabimin tonë me zbatim rigjid të vendimit dhe me gjithë ato kritika në Këshill të Sigurimit kur ne lëshuam pe përsëri?
Kështu edhe pozita e keqe e Serbisë pas sulmit të Banjskës filloi të rikuperohet nga ky gabim i Kosovës.
Nuk është hera e parë që paraqitemi “të fortë” e pastaj lëshojmë pe. Jemi më shumë naivë sesa të fortë në këto raste. Kjo mund të na jep një satisfaksion momental, por dëmet afatgjate në kualitetin e marrëdhëniet me partnerët tanë janë tepër të kushtueshme me lëvizje të tilla si kjo.
Kosova duket amatore në komunikim dhe diplomaci me veprime të tilla, por së paku të mësojmë nga këto raste dhe mos të i përsërisim më.