Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i përbërë nga kryetari i delegacionit të përhershëm, Xhavit Haliti, dhe anëtarët, Aida Derguti e Slobodan Petroviq, është duke marr pjesë në punimet e Sesionit të Parë të rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) në Strasburg, e cila është duke zhvilluar punimet nga data 23-27 janar 2017.
Delegacioni nga Kuvendi i Kosovës, për herë të parë është akredituar nga APKE me status të përhershëm, që do të thotë se pjesëmarrësit e delegacionit nga Kuvendi i Kosovës, janë pajisur me kartela identifikuese të APKE-së, dhe tani posedojnë edhe zyrë si çdo delegacion tjetër anëtar në APKE. Bazuar në Rezolutën 2094 të vitit 2016, Kuvendit të Kosovës i është ofruar e drejta që të përfaqësohet me delegacion në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në ditët e ardhshme, Byroja e APKE-së do të miratojë të drejtat e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në APKE.
Delegacioni i Kuvendit te Kosovës, i ftuar nga presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit, z. Pedro Agramunt, ka zhvilluar një takim, në të cilin është njoftuar me mundësitë që do të ketë për të funksionuar i barabartë me delegacionet tjera në APKE.
Po ashtu, me ftesë nga Delegacioni përfaqësues i shtetit të Gjermanisë, delegacioni i Kuvendit të Kosovës ka zhvilluar një takim, në të cilin temë e diskutimit ishte, të drejtat e delegacionit përfaqësues të Kosovës në APKE. Delegacioni Gjerman nën udhëheqjen e z. Axel E. Fischer, i cili është edhe nënkryetar i APKE-së, uroi delegacionin përfaqësues të Kosovës për arritjet në APKE dhe shprehu mbështetjen e delegacion Gjerman në procesin e anëtarësimit të Kuvendit të Kosovës në APKE.
Delegacioni nga Kuvendi i Kosovës, ka takuar edhe përfaqësuesen nga shteti i Luksemburgut, ish-kryetare e APKE-së (2014-2016), znj. Anne Brasseur, e cila, po ashtu ka uruar delegacionin e Kosovës për punën e madhe dhe për arritjet në procesin e përfaqësimit në APKE.
Znj. Brasser bëri të ditur se do të vizitoj Kosovën në shkurt, me ç‘rast do të merr pjesë në Samitin e kryetareve të komisioneve për punë të jashtme, e që do të mbahet në Prishtinë. Po ashtu, znj. Brasseur ka shprehur përkrahjen e plotë të Luksemburgut në procesin e dhënies së të drejtave që kanë edhe delegacionet tjera në APKE.
Lidhur me këtë, gjatë takimit u theksua nevoja që kjo çështje të diskutohet dhe miratohet, mundësisht me konsensus, në Byronë e APKE-së gjatë sesionit të saj.
Vlen të theksohet me këtë rast se, delegacioni i Serbisë është i angazhuar që nëpërmjet lobimit brenda Këshillit të Evropës, të pengoj të drejtën legjitime të miratuar nga APKE, që në sallën e Asamblesë, delegacioni i Kosovës të ketë të drejtën e barabartë, sikurse e parasheh rezoluta 2094 (2016), neni 13, që delegacioni i Kosovës të ketë të drejtën e fjalës dhe ulësen në APKE.
Delegacioni i Kosovës, ka fituar të drejtën e fjalës në të gjitha komisionet dhe nen-komisionet, si delegacion me të drejta të plota APKE.