Viti 2018 ka qenë sfidues për politikën e jashtme të Kosovës. Diplomacia kosovare në arenën ndërkombëtare është duke u sfiduar nga Serbia dhe mosnjohja e pesë vendeve anëtarë. Shteti i Kosova ka ngecur sa i takon njohjeve të reja, ndërsa ka përparuar në aspektin e vendosjeve të marrëdhënieve diplomatike.
Kështu u tha në tryezën e Institutit të Prishtinës për Studime Politike me ç’rast u publikua dhe raporti “Vjetari i politikës së jashtme kosovare”.
Koordinatori në Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Butrit Berisha tha se në bazë të këtij raporti del se Kosova nuk ka përparuar sa i takon njohjeve të reja, pasi që është njohur vetëm nga Barbadosi.
Ndërsa, diplomacia kosovare në vitin 2018 ka arritur sukses vetëm në aspektin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Ky raport e ka theksuar edhe zbehjen e marrëdhënieve të shtetit të Kosovës me vendet mike si Amerika, për shkak të mospajtimeve publike si për çështjen e demarkacioni, shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ndërsa me Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë pasur qëndrime të kundërta për idenë e korrigjimit të kufijve.
Sipas këtij raporti, integrimi i Kosovës në Bashkimi Evropian në vitin 2018 ka qenë minimal për shkak se nuk ka arritur ta zbatojë kapitullin 2 të MSA-së, ndërsa lidhur me raportet me pesë vendet që nuk e kanë njohur vendin tonë, Kosova ka shkëmbyer takime me Greqinë kur pritet të hap edhe një zyrë, kurse sa i takon Spanjës ato vetëm sa i kanë ftohur tutje marrëdhëniet.