Kosova mund ta zhvillojë një ndeshje miqësore në muajin nëntor

Prishtinë | 10 Tet 2020 | 14:20 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e humbjes nga Maqedonia e Veriut (2:1) në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup, Përfaqësuesja e Kosovës është eliminuar nga faza “play-off” e Ligës së Kombeve, rrugë e cila mund t’i dërgonte “Dardanët” në Kampionatin Evropian “Euro 2020”.

Kjo nënkupton se skuadra që drejtohet nga Bernard Challandes e ka rrugën e hapur për një ndeshje miqësore gjatë muajit nëntor.

Në muajin nëntor, Përfaqësuesja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshjet e fundit në grupin C të Ligës së Kombeve ndaj Sllovenisë në Ljublanë dhe ndaj Moldavisë në Prishtinë, por po në këtë muaj është i rezervuar një termin i lirë për një ndeshje miqësore për djelmoshat e Kosovës.

Megjithatë, një gjë e tillë ende nuk është vendosur, por as kundërshtari i mundshëm i Kosovës për ndonjë miqësore ende nuk dihet.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka deklaruar se nuk është vendosur ende nëse do të zhvillohet ndonjë miqësore apo do të jetë vetëm ndonjë kamp përgatitor.

“Ende nuk kemi vendosur asgjë. Kjo do t’i takojë trajnerit Challandes për të vendosur, nëse ai dëshiron miqësore apo kamp përgatitor. Në rast se do të zhvillojmë miqësore, kundërshtarin ende nuk e dimë”, deklaroi të shtunën për “Zeri.info” Agim Ademi.



Fjalë Kryesore:

Të ngjashme