Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar tryezën “Resurset ujore–planifikimi dhe menaxhimi”, me ç’rast ishin të ftuar ekspertë të kësaj çështje për të folur për sfidat dhe problemet që vendi ynë ballafaqohet me resurset ujore, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u tha të pranishmëve se pse është e rëndësishme të mos përmbushet kontrata e Contur Global përderisa Ujmani është resursi më i rëndësishëm ujor në Kosovë.
“Cilësia e jetës është thellësisht e varur nga cilësia e ujërave që i kemi. Siguria e burimeve ujore është politikë sovranizuese. Kur kemi reshje zakonisht kemi edhe vërshime sepse janë prerë pyjet anë e kënd dhe janë rrënuar shtratet e lumenjve. Nëse Ujmani është resursi më i rëndësishëm a ka kuptim për ta përmbushur edhe kontratën e Contur Global.”
Baton Begolli nga Këshilli Ndërministror për Ujëra tha se Kosova është e thatë sa i përket resurseve ujore.
“Ne si Kosovë jemi të thatë sa i përket resurseve ujore dhe me këtë largim të popullatës po më duket se kemi me pasë ujë me bollëk. Nuk jemi shtet i pasur me ujë dhe këtë që e kemi nuk është i nevojshëm aq sa duhet. Hallka më e dobët tek ne është hallka e resurseve ujore e sa i përket shërbimeve ujore nuk jemi keq”, tha Begolli.
Ai tha se Kosova ka dështuar me Ligjin për Ujërat pasi që sipas tij mungon menaxhimi i përmbytjeve si dhe ekziston një shpërputhje mes planeve komunale dhe planeve për resurse ujore.
“Ka komunë që nuk e ndan ujin e saj me komunën tjetër e njëjtë edhe në fshatra edhe pse ndalimi i kësaj nuk i takon qytetarëve për këtë përkujdeset shteti. Tek Ligji i Ujërave janë nja mori dështimesh, pasi mungon menaxhimi i përmbytjeve. Ka një shpërputhje të madhe mes planeve komunale me planet e resurseve ujore, pasi në zonën e hyrjes të liqenit të Badovcit kemi një shkollë ku nuk është në vend të përshtatshëm, por shkolla nuk mund të prishet. Ka një neglizhim në zbatimin e menaxhimit të ujërave”, tha Begolli, raporton EO.
Dajana Berisha nga Ballkan Green Foundation tha se Kosova mund të mbetet pa ujë të pijshëm si shkak i keqmenaxhimit.
“Keqmenaxhimi i deponive, mungesa e ujit të pijes, prerja e paligjshme e pyjeve, ndotja e lumenjve, niveli i ulët i ndërgjegjësimit të qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit dhe rrezikimi i shëndetit të banorëve nga ndotja e mjedisit, janë vetëm disa nga temat që përballemi çdo ditë dhe mendoj që Kosova mund të mbetet pa ujë të pijshëm si shkak i keqmenaxhimit. MMPH-në e kemi hedhë në gjyq pasi nuk ka pasur komunikime të mirëfillta me banorët në Hade dhe zona të tjera edhe pse gjyqin me Qeverinë e Kosovës e kemi humb atë me Bankën Botërore e kemi fitu”, tha ajo.
Afrim Ajvazi nga Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike, tha se një hidrocentral nuk mund të ndërtohet pa pëlqimin e komunës përkatëse.
“Tek hidrocentralet, para se me fillu me u ndërtu MZhE-ja ka nxjerrë një studim për kapacitetet e hidrocentraleve. ZRrE-ja veç e zbaton procesin, por rolin kyç e ka komuna, nëse një komunë nuk dëshiron me u ndërtu një hidrocentral atëherë ai nuk mund të ndërtohet”, tha ai.