Shteti i Kosovës nuk shpenzon shumë mjete financiare nga buxheti i saj për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit nëpër komuna gjersa mungojnë edhe investimet sa i përket trajtimit të ujërave të ndotura.
Ndërkaq situata në terren është përkeqësuar ngase ujërat e zeza shkarkohen në lumenjtë duke shkaktuar ndotje dhe si pasojë ka pasur edhe ngordhje masive të peshqve madje edhe të bagëtive gjatë viteve të fundit.
Instituti Demokratik i Kosovës i Kosovës (KDI) ka publikuar raportin për gjendjen e lumenjve në Kosovës me titullin “Lumenjtë e Zi të Kosovës” ku ofrohen të dhëna sa i përket investimet publike në infrastrukturën nëntokësore.
Në raport theksohet se institucionet lokale dhe qendrore kanë nënshkruar 326 kontrata për investime publike në ndërtimin dhe riparimin e kanalizimeve në Kosovë gjatë viteve 2017-2019.
Vlera e këtyre investimeve ishte afër 43 milionë euro. Sipas raportit institucionet publike ndonëse kishin buxhetuar 32 milion euro për ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura këto mjetë më pas nuk ishin shpenzuar. Vetëm 8 kontrata ishin nënshkruar për këtë qëllim në vlerë prej 2 milion e 200 mijë euro apo rreth 5 përqind e vlerës së buxhetuar.“Në përgjithësi në Kosovë nuk ka trajtim të ujërave të ndotura. Shkarkimi i tyre zakonisht bëhet direkt në lumenj dhe paraqet një nga ndotësit kryesorë të ujërave sipërfaqësor. Sipas po të njëjtit raport, edhe përkundër kërkesave të mëdha për investime në këtë sektor, shumat e buxhetuara nga KRU dhe Agjencionet zhvillimore janë tejet të vogla kundrejt nevojave dhe kërkesave aktuale” thuhet në këtë raport.
Theksohet se ndotësit më të mëdhenj industrial të lumenjve në Kosovë konsiderohet Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) , “Feronikeli”, Sharcemi si dhe minierat e Trepçës siç është ajo e Kishnices në Novobërdë. Por ndotësi kryesor janë kanalizimet kolektive të cilët në mungesë të trajtimit të ujërave të zeza derdhen në lumenjtë duke shkaktuar ndotje. Raporti thekson se problemi i ujërave të zeza nuk po trajtohet as nga komunat. Në këtë raport përmendet edhe komuna e Prishtinës.
“Kanalizimit të hapur në kryeqytetin e Prishtinës, respektivisht tek rreth-rrotullimi i rrugës B dhe rrugës Muharrem Fejza, e që derdhet më pastaj në lumin e Sitnicës. Është shqetësuese se në afërsi prej rreth 10 metra të këtij kanalizimi të hapur, në zonën që konsiderohet me zhvillimin më të shpejtë hapësinor, gjenden: një shitore e mishit, tri barnatore dhe disa veprimtari tjera. Ky kanalizim i hapur në kryeqytet ka ngritur edhe shqetësime të qytetarëve dhe ekspertëve shëndetësor lidhur me rreziqet e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse dhe shëndetit publik” potencon raporti. Gjersa si shqetësuese është përmendur edhe ndotja e lumit Prishtevka. Gjersa ndotja ka edhe në zonën ku bashkohet Lumi Sitnica me lumin Lap. Në afërsi të këtyre lumenjve janë të pranishme vendbanimet që i derdhin ujërat e zeza drejt për drejt në lumin Llap.
edhe komuna e Malishevës ka probleme sa i përket ndotjes meqë 11 fshatra të kësaj komune shkarkojnë ujërat e zeza në lumin Mirusha. Instituti ka konstatuar se Malisheva në planin e prokurimit 2019 dhe për vitin 2020 nuk kishte anashkaluar çështjen e rregullimit të kanalizimit në disa fshatra. Gjersa prioritet të lartë nuk ishte dhënë rregullimit të shtratit të lumit Mirusha.
Ankesa për ndotje të lumit kishin edhe banorët e komunës së Graqanicës. Ata ishin ankuar se lumi i tyre ndotet si rezultat i pompimit të ujërave nga minierat e Kishnices dhe Artanës. Lumi Gracnka ka përqendrim të lart te metalit mangan si dhe tejkalime të vlerave të lejuara të metal hekurit.
Rekomandimet të cilat dalin nga raporti është që Qeveria e Kosovës të adresojë sfidat të cilat janë paraqitur sa i përket ndërtimit të impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura. Të rritet numri i inspektimeve në terren në mënyrë që të parandalohen dhe të gjobiten palët të cilët realizojnë kontaminimin e ujërave që përbën rrezik për shëndetin publik si dhe për floren dhe faunën. Të inspektohen burimet e ujërave të pijes dhe puset në zonat që gjenden përreth lumenjve me qëllim të kontrollit të cilësisë së ujit dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjeve për shkak të ujit dhe të tokës së ndotur.
Ndryshe në vend janë gjithsej tetë lumenj me një gjatësi totale të rrjedhës brenda territorit të Kosovës prej 511 kilometrash, e që derdhen në tre ujëmbledhës detarë, por që lëshojnë territorin e Kosovës brenda 24 orëve nga pika e burimit. Duke qenë që këto burime ujore nuk qëndrojnë në Kosovë për të plotësuar nevojat e qytetarëve të Kosovës për ujë të pijshëm, ujitje, peshkim, turizëm dhe për prodhimin e energjisë elektrike, në shumë vende janë ndërtuar diga për të grumbulluar ujin e përrenjve dhe lumenjve, për ta përdorur atë gjatë stinëve kur reshjet janë shumë të vogla dhe kërkesa është shumë e madhe. Master plani i ujërave i vitit 1983 parashihte ndërtimin e edhe 20 akumulacioneve të tjera, të cilat deri më sot nuk janë realizuar, raporton KOHA.