Falë vaksinimit, Kosova është ndër vendet që është prekur fare pak me fruthin, thonë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik. Viti 2019, sipas këtij Instituti, po përmbyllet me 13 raste të reja me fruth.
Në anën tjetër, në shumë vende të rajonit, por edhe në Evropë gjatë këtij viti është shpallur epidemi fruthi, Kosova i ka shpëtuar epidemisë falë mbulimit me mbi 95 për qind me vaksinim, çka sipas Edita Goranit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka ndikuar që të ketë vetëm raste sporadike me fruth.
Sipas saj, ky virus mund të përhapet shpejt, sidomos në ato vende ku vaksinimi është nën shifrat 95 për qind të popullsisë.
“Duke iu falënderuar suksesit të vaksinimit në Kosovë, kemi kaq numër të vogël të rasteve me fruth. Shtetet fqinje si, ta zëmë, Maqedonia e Veriut, kanë shpallur epidemi vitin e kaluar. Gjithashtu, edhe në disa vende të Evropës ishte shpallur epidemi për disa vjet me radhë, si pasojë e mosvaksinimit”, thotë Gorani.
Fruthi është një sëmundje ngjitëse dhe serioze e shkaktuar nga një virus që përhapet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë dhe përmes ajrit. Sëmundja mund të parandalohet përmes dy dozave të vaksinës MMR, e cila në shumë vende është në dispozicion falas.
Gorani thotë se në Kosovë, gjatë viteve 2014-2015, kishte rënë deri në 3 për qind vaksinimi kundër fruthit, për shkak të përhapjes së disa lajmeve që besohet se ishin të rreme, sipas të cilave, “vaksinimi shkaktonte autizmin”.
Si pasojë e rënies së numrit të vaksinuarve, Gorani thotë se pasojat ishin vërejtur pak vjet më vonë, kur gjatë dy muajve të parë të vitit 2018, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, më shumë se një mijë pacientë kanë qenë të shtrirë për trajtim me shenja klinike të fruthit.
Infektologu Sali Ahmeti thotë për Radion Evropa e Lirë, se ndonëse ka pasur numër shumë të madh të pacientëve të prekur me fruth, vitin e kaluar, asnjë rast nuk kishte përfunduar me fatalitet.
Nisur nga shqetësimet që kanë krijuar lajmet për efektet e dëmshme anësore të vaksinave, epidemiologia Isme Humolli shpjegon se vaksina kundër fruthit, sipas të gjitha hulumtimeve të bëra, nuk ka rezultuar se ka efekte anësore.
Sipas saj, të gjitha hulumtimet shkencore dhe referencat që janë deri më tani, dëshmojnë se nuk ka fare lidhje vaksina me autizmin.
Fruthi gjatë këtij viti është rikthyer në katër vende të Evropës, të cilat më parë kanë qenë të pastra nga kjo sëmundje, ka bërë të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Sipas OBSH-së, sëmundja nuk konsiderohet më e çrrënjosur në Shqipëri, Republikën Çeke, Greqi dhe Britani të Madhe.
Në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim, njëherësh mjek specialist i shëndetit publik, thotë se së bashku me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, po i kushtohet një rëndësi e veçantë programit të zgjeruar të imunizimit në Kosovë.
“Përgjatë viteve është punuar që shkalla e vaksinimit të fëmijëve të shtrihet në shkallë sa më të lartë. Megjithëkëtë, kanë mbetur 5 për qind e popullatës e pavaksinuar, e që i përket kryesisht komuniteteve Romë, Ashkali e Egjiptian dhe kjo për shkak të neglizhimit të programit, por edhe të ndërrimit të vendbanimeve, që ka pamundësuar të vaksinohen nga ekipet e mjekëve në teren. Pra, ata nuk janë përfshirë në shkallën shumicë të njerëzve të vaksinuar”, thekson Hoti.
Afro 365.000 raste me fruth janë raportuar në gjithë botën këtë vit, ka bërë të ditur OBSH-ja, që nënkupton se shifrat janë gati tri herë më të larta sesa në gjysmën e parë të vitit 2018.
Zyrtarët e OBSH-së thonë se arsyet e përhapjes ndryshojnë nga vendi në vend. Disa njerëz nuk kanë qasje në programet e vaksinimit, ndërsa të tjerët keqinformohen në lidhje me sëmundjen dhe parandalimin e saj.