Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka folur për perspektivën e fuqisë punëtore në Kosovë.
Ai tha se sektori privat është në një ritëm shumë të shpejtë, e në këtë formë bizneset e Kosovës do të përfaqësohen sa më mirë.
Rukiqi në Express Intervistën në KTV, tha se tregu e ka krijuar hapësirën për bizneset serbe, por OEK, ka interesin shtetëror që të ketë sa më shumë biznese vendore. “Përmes tregtisë së lirë ka mirëqenie më të madhe, por lind pyetja sa kemi tregti të lirë në rajon”, tha ai.
Karshi me Serbinë, tha ai, mund të flasim për tregti e bashkëpunime mirëpo vendi që më së paku fiton në rajon është Kosova. “Në këtë frymë po fokusohemi edhe ne. Në dhjetor e kemi një panair ku më së shumti do përfaqësohet produkti vendor”, tha ai.
“Kompanitë serbe nuk bëjnë problem të marrin pjesë në panairet tona”, tha ai.
Shtoi se në raport me Shqipërinë, Kosova me të drejtë ka ngritur shqetësime. “Në interes tonin do të duhej të ishte Shqipëria. E kam theksuar shkallën e zhvillimit të bizneseve në Shqipëri e Kosovë, që të shohim ku kemi mundësi të bashkëpunojmë më shumë”, tha ai.
Rukiqi tha se janë duke u përgatitur për mbledhjen e dy qeverive, ku do të diskutohen edhe rreth 20 apo 30 hapa që të ketë sa më shumë bashkëpunim.
“Kemi më shumë bashkëpunime mes firmave të Serbisë me të Shqipërisë se sa të Kosovës me Shqipërisë”, tha ai.
Rukiqi tha se sa i përket investimeve të huaja, një prej aduteve si elemente pozitive është fuqia punëtore. “Për këtë jemi në avantazh me vendet tjera”, tha ai.
Tha se edhe punëtorët në Kosovë “fizikisht janë këtu, e me mend në vende tjera, sidomos në Gjermani”, tha Rukiqi.
Shtoi se liberalizimi, s’do të thotë që punëtorëve ua mundëson ikjen, por të punojnë në punë që janë sezonale. “Do të gjejnë sigurisht perspektivë më të mirë”, tha ndër të tjera ai.